Lajme Shqip Thursday, 03 November 2011 15:26

Shqiptarët kryejnë mesatarisht 10 miliardë lekë veprime me kartë në muaj. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, çdo muaj nëpërmjet sistemit bankar shqiptar kryhen 927 mijë veprime me karta debiti dhe krediti. Kryesisht këto veprime konsistojnë në tërheqjen e parave nga bankomatet, por vërehet edhe një rritje e pagesave nëpërmjet pikave elektronike të shitjes, POS, të vendosura në njësitë tregtare.

Deri në fund të 6-mujorit të këtij viti, në Shqipëri rezultonin të instaluara 783 bankomate dhe 4,729 terminale POS. Numri i kartave bankare në duart e shqiptarëve deri në fund të Qershorit ishte 712 mijë, me një rritje 10.5% krahasuar me një vit më parë. 96% e tyre janë karta debiti, të lidhura me llogari bankare. Kartat e kreditit vazhdojnë të jenë në pakicë, por edhe ato po njohin rritje të përdorimit, falë përmirësimit të njohjes së shërbimeve bankare nga individët, por edhe falë fokusimit promocional të bankave te këto produkte.

Deri në fund të muajit qershor, bankat shqiptare kishin në përdorim mbi 30 mijë karta krediti, me një rritje prej 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kartat e kreditit janë një instrument kreditor, i ngjashëm me paradhënien bankare apo overdraftin. Nëse overdrafti përdoret kryesisht për tërheqjet cash, kartat e kreditit janë një instrument më i përshtatshëm për blerjet automatike në pikat e shitjes apo për blerjet nëpërmjet internetit.

Gjithashtu, falë rrjeteve ndërkombëtare të pagesave si “Visa” apo “Master Card”, pothuajse të gjitha kartat e kreditit janë pjesë e këtyre rrjeteve dhe mund të përdoren në të gjithë botën. Në përpjekje për të nxitur blerjet nëpërmjet pikave elektronike të shitjes, bankat nuk i aplikojnë komisione blerësve për këto lloj shërbimesh. Bankat dhe ekspertët vlerësojnë se blerjet automatike mundësojnë rritjen e formalizimit të ekonomisë, pakësojnë qarkullimin e parasë cash dhe ulin kostot e transaksioneve. (LajmeShqip.com)