Lajme Shqip Wednesday, 14 December 2011 19:18

Tiranë-Investimet e Huaja janë në rënie për të dytin vit radhazi. Sipas Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin investimet e huaja direkte kishin vlerën e 440 milionë eurove, me një rënie prej afro 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Për tremujorin e tretë të këtij viti, vlera e investimeve ishte 170 milionë euro, 31% më pak krahasuar me një vit më parë.

Pas rënies së remitancave, ky është një tjetër lajm i keq për ekonominë shqiptare. Kriza ekonomike i ka pakësuar dukshëm sasitë hyrëse të valutës në ekonominë shqiptare.

Në vitet e fundit, investimet e huaja kanë qënë shtyllë e rëndësishme e rritjes ekonomike, si një burim i punësimit dhe i blerjes së mallrave dhe shërbimeve.

Investimet e huaja kanë luajtur gjithashtu një rol në shtimin e kapaciteve dhe të shfrytëzimit të burimeve në ekonomi, veçanërisht në sektorë të veçantë si industria nxjerrëse apo energjitika.

Duke llogaritur së bashku rënien e investimeve të huaja dhe atë të remitancave, në ekonominë shqiptare gjatë 9-mujorit të parë të vitit 2011 kanë hyrë 194 milionë euro më pak.

Kjo shumë është e barabartë me 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pakësimi i kësaj vlere do të thotë më pak para për blerje dhe më pak rritje ekonomike.

Shqipëria është një vend importues neto, ndaj flukset valutore hyrëse janë të rëndësishme edhe për financimin e importeve.

Deri tani gjatë këtij viti, bilanci tregtar i vendit është negativ në vlerën e 1.6 miliardë eurove dhe deficit u rrit 7% me bazë vjetore. (LajmeShqip.com)