Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 15:14

Gjatë vitit 2011 shqiptarët rritën përdorimin e pagesave automatike nëpërmjet kartave dhe internetit.

Të dhëant e Bankës së Shqipërisë treguan se totali i pagesave me karta bankare vitin e kaluar arriti në 10.9 miliardë lekë, me një rritje prej 48% krahasuar me një vit më parë. Element interesant është fakti që në dy vitet e fundit, volumi më i madh i pagesave është kryer me karta krediti.

Kjo tregon se shqiptarët nuk blejnë vetëm me fondet e llogarisë së tyre bankare, por kanë nisur të përdorin në mënyrë të shtuar fonde të kredituara nga bankat.

Kartat e kreditit janë një ndër produktet më klasike të bankingut për individë në vendet e zhvilluara, ndërkohë që duket se vitet e fundit përdorimi i tyre po rritet edhe në Shqipëri. Vitin e kaluar numri i pagesave me kartë kreditit arriti në afro 250 mijë.

Në rritje paraqitet edhe përdorimi i internet banking. Për vitin 2011, pagesat nëpërmjet e-banking arritën në 102 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 12%.

Numri i pagesave arriti në 187 mijë, me një rritje vjetore prej 15%.