Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 16:37

Tiranë – Pakësohen abonentët e telefonisë fikse. Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare treguan se për vitin 2010 numri i abonentëve të telefonisë fikse ra në 331 mijë, nga 338 mijë që ishin një vit më parë.

Kjo dinamikë tregon në vetvete dy fenomene. Së pari, njerëzit janë gjithnjë e më të joshur nga telefoni celular. Ulja e ndjeshme e tarifave gjatë 2-3 viteve të fundit, veçanërisht për thirrjet në grup, ka ulur domosdoshmërinë e komunikimit nëpërmjet telefonit fiks, si një alternativë me çmim të lirë.

Nga ana tjetër, rritja graduale e tarifave të thirrjeve lokale dhe e tarifës së pajtimit mujor të Albtelecom kanë ndikuar në të njëjtin kah në uljen e interesit për të përdorur telefonin fiks. Penetrimi i telefonisë fikse në Shqipëri ishte 10.2%, ndër më të ulëtit në Europë, ku mesatarja e vendeve të BE është rreth 45%. Duket se zhvillimi i shpejtë i komunikimit të lëvizshëm po e zvogëlon efiçencën dhe rëndësinë e shtrirjes së linjave fikse.

Është fakt që Albtelecom gjatë vitit 2010 ka humbur 15 mijë abonentë, apo 5% të bazës së përdoruesve. Por, brenda telefonisë fikse vërehet një tendencë interesante: rritja e abonentëve të operatorëve fiksë alternativë. Në fund të vitit 2010, numri total i abonenëtve të këtyrëe operatorëve është rritur në 53 mijë, nga 45 mijë që ishte në fund të vitit 2009.

Kjo ka bërë që pjesa e Albtelecom në tregun e telefonisë fikse të bjerë në 84%, nga 92% që ishte një vit më parë. Kjo tregon se operatorët alternativë, veçanërisht atë që ofrojnë shërbime të integruara (internet, telefoni dhe televizion) po e konkurrojnë mjaft mirë Albtelecom në çmime dhe në cilësinë e shërbimit.