Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 14:33

Tiranë – Shqiptarët po i rrisin veprimet me karta bankare. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për vitin 2010, volumi total i transaksioneve me karta ka arritur në 108 miliardë lekë, me një rritje prej 5.8% krahasuar me vitin 2009. Numri i veprimeve me karta ishte gjithsej 10.5 milionë. Nga totali i transaksioneve, rreth 95% e përbëjnë tërheqjet cash nga bankomatet dhe vetëm 5% janë pagesa klientësh me karta në pikat e shitjes, tregues ky i një ekonomie ende me përdorim të lartë të cash-it.

Numri total i kartave bankare arriti në afro 695 mijë, me një rritje prej afro 23% krahasuar me vitin 2009. Kartat e debitit zënë rreth 96% ndaj totalit të kartave në qarkullim. Kartat e kreditit megjithëse në pakicë, kanë njohur rritje të vazhdueshme dhe në fund të vitit 2010 numri i tyre ishte mbi 27 mijë.

Përsa i përket llojit të kartës dhe operatorëve që ofrojnë shërbimin e procesimit të kartave, peshë më të madhe zënë kartat VISA, rreth 83% ndaj totalit, të ndjekura nga kartat Master Card. Paralelisht me rritjen e numrit të kartave, bankat kanë shtuar edhe numrin e pajisjeve ATM me 4% krahasuar me fundin e vitit 2009, ndërkohë që rrjeti i pikave elektronike të shitjes është zgjeruar me 12% krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

Nga raportimet e bankave rezulton se këto pajisje janë vendosur në rajonet e zhvilluara të vendit si dhe në qendrat industriale. Rreth 53% e bankomateve dhe 78% e terminaleve elektronike janë të vendosura në zonën e Tiranës. (LajmeShqip.com)