Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 10:50

Tiranë – Shqipëria ende nuk ka kapacitetet e nevojshme për akomodimin e turistëve, ndërsa barra fiskale konsiderohet si jofavorizuese për këtë sektor.

Në një intervistë presidenti i sektorit të akomodimit, Zak Topuzi, deklaron se sektori hotelier është sektori kryesor në industrinë turistike.

“Mund të jenë rreth 900 njësi akomoduese, ku përfshihen rreth 650 hotele, me gjithsej rreth 60 mijë shtretër, nga të cilët, 23 mijë shtretër janë në hotele. Rreth 80% e këtyre hoteleve kanë 5-20 dhoma, 13 % kanë 20-40 dhoma diferenca me më shumë”, theksoi Topuzi.

Për z. Topuzi, Shqipëria nuk ka kapacitete hoteliere. Janë vetëm 3 hotele me mbi 100 dhoma dhe këto të tre në Tiranë. Gjithsesi edhe Tirana ka rreth 1 mijë shtretër në total, shifër kjo jo e mjaftueshme për një turizëm të një kryeqyteti, duke patur parasysh se kryeqyteti është pika e nisjes së një turizmi, shprehet Topuzi.

Sipas tij, dyfishimi i numrit të shtretërve do të ishte normale për Shqipërinë, duke patur parasysh resurset e saj. “Ne nuk trashëguam një industri turizmi, si ish-Jugosllavia që kishte një infrastrukturë të mirëfilltë turizmi, si shkolla etj, duke e bërë këtë industri si një nga burimet kryesore të të ardhurave të vendit. Por gradualisht edhe këtu po shtrohet një bazë e qëndrueshme për zhvillimin e turizmit. Shumë pak vetë e dinë që 47 % e eksporteve të vendit sigurohen nga industria e turizmit, ndërsa 140 mijë vende pune sigurohen po nga kjo industri. Është një industri e cila siguron 14.3 % të GDP-së, duke futur edhe investimet”, thotë Topuzi.

Ai vlerëson se janë bërë hapa të rëndësishëm pasi ndërtimi i infrastrukturës është A-ja e turizmit, por jemi në fazën që Shqipëria kërkon strategji të mirëfillta për zhvillimin e turizmit dhe koha e humbur përbën problem, sepse janë të ardhura që gjenerohen nga biznesi, ndërsa nga qeveria kërkohen vetëm politika.

Për z. Topuzi, kriza nuk ka dhënë ndonjë efekt të madh në industrinë e turizmit, institucione të rëndësishme ndërkombëtare në analizat e tyre parashikojnë se edhe këtë vit që Europa parashikon krizë, sektori hotelier parashikohet me një rritje prej 7-8 %. Kjo, sipas tij, tregon se njerëzit, pavarësisht nga kriza, sërish planifikojnë pushime, por në këtë rast në destinacione më të afërta dhe me kohë më të shkurtuar.

Një tjetër aspekt që, sipas z. Topuzi, duhet parë me kujdes është cilësia e turistëve, kjo duke ofruar edhe një cilësi shërbimi më të mirë për ta. Statistikat, thekson ai, tregojnë se rreth 70-80 % e numrit të turistëve janë me origjinë shqiptare, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni, etj. Ka ardhur momenti, shton ai, të sigurojmë jo një numër të lartë turistësh, por turistë të cilët shpenzojnë më tepër. Shqipëria ka disa veçori, vijon Topuzi, ofron përveç bukurisë, mikpritjen, kulinarinë interesante dhe sot është moda e këtij ushqimi tradicional, e pijeve tradicionale. Sipas Topuzit, Shqipëria ka bërë përmirësime të dukshme, pasi një pjesë e shqiptarëve që emigruan në Itali, morën një kulturë dhe erdhën dhe e transmetuan atë, që duke e lidhur me kuzhinën tradicionale shqiptare e bënë atë mjaft interesante dhe që pëlqehet nga të huajt që vijnë këtu për pushime.

Por thekson Topuzi, duhen përmirësuar edhe politikat fiskale. Shqipëria, sipas tij, në vitin që kaloi u vu para një sfide si rezultat i politikave fiskale lehtësuese që ndoqën vendet e rajonit dhe që tërhoqën një pjesë të mirë të turistëve përmes çmimeve ekonomike. “Në Shqipëri nuk ka lehtësi fiskale që ndihmojnë këtë lloj industrie, siç i kanë fqinjët tanë, konkretisht TVSH dhe taksa lokale, ndërsa transaksionet bankare janë mjaft të larta. Nuk vijnë më turistë me lekë në dorë, duke qënë se të gjitha shërbimet paguhen me kartë krediti dhe 2-4 % e shumës është kosto bankare”, thotë Topuzi.

Sipas përllogaritjeve, theksoi Topuzi, një turisti duhet t’i përgjigjen të paktën 5 të punësuar dhe ndryshe nga industritë e tjera që me rritjen e standardeve ulin numrin e të punësuarve, në sektorin e turizmit ka një tjetër veçori që me rritjen e standardeve rritet numri i njerëzve që ju shërbejnë këtyre turistëve.

Z. Topuzi thekson se ka disa vite që Shoqata Shqiptare e Turizmit po kërkon uljen e nivelit të TVSH-së nga 20 % që është aktualisht. “Në bashkëpunim me GTZ-në, një nga donatorët kryesorë më të mëdhenj të industrisë turistike në Shqipëri, kemi përgatitur një material që është në përputhje edhe me rekomandimin e Bashkimit Europian kur Shqipëria ka nënshkruar MSA-në për të ulur vlerën e TVSH-së për turizmin, për ta konsideruar turizmin eksport. Nga 27 vendet e BE-së, 24 prej tyre e kanë nën 10 % nivelin e TVSH-së, pra fillojnë nga 3-10 %. Të gjithë fqinjët tanë kanë bërë një politikë ekspansioniste. Mali i Zi e ka 7%, Maqedonia para dy muajsh e beri 5 %. Pjesa kryesore e paketës turistike përbëhet nga hoteli dhe duke filluar me 20 % TVSH-në dhe 5 % taksën lokale përfundon 27 % kosto fiskale dhe automatikisht paketa jonë bëhet me e shtrenjtë minimumi 27 %”, deklaroi Topuzi.

Në kushtet kur sot po luftohet për një paketë ballkanike, shpjegon Topuzi, që do të thotë se turistët që vinë në Mal të Zi, Kroaci, Shqipëri Kosovë e Maqedoni kërkojnë të bëjnë lëvizje nëpër këto vende dhe sigurisht paketa shqiptare përbën problemin kryesor. “Kosto fiskale është një sfidë për zhvillimin e turizmit, është edhe një ndër arsyet se pse nuk ndërtohen hotele në Shqipëri apo resorte, pasi edhe investitorët potencialë kur vijnë në Shqipëri kërkojnë së pari studimin urbanistik të zonës, pastaj dalin te lehtësitë fiskale dhe aty ngecin, sepse kostot janë shumë të larta”, thekson Topuzi.

Z. Topuzi komentoi edhe të ardhmen e turizmit malor në vendin tonë. Sipas tij, turizmi malor është një industri e re në Shqipëri. “Nuk mund të them se zë vendin e turizmit të rërës dhe detit, por mund të them se është një industri interesante, pasi vendi ynë afron shumë resurse. Janë disa zona me turizëm gjithë vjetor, zona që gjatë dimrit përdorin turizmin e skive dhe në verë turizmin e relaksit. Kemi shumë vende që preferohen edhe nga të huajt, ndërsa shqiptarët tani kanë filluar t’a shikojnë këtë lloj turizmi”, shprehet Topuzi. Ai vuri në dukje se disa agjenci gjermane kanë filluar të shesin alpet tona duke iu dhënë grupeve turistike guida dhe duke përdorur element stimulues për ato zona.