Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 16:32

Tiranë – Shqipëria ka bërë hapa gjigandë përpara me anë të Teknologjive të Informacionit në fusha si arsimi, regjistrimi i biznesit (QKR, QKL), prokurimi publik, në luftën kundër korrupsionit, rritjen e transparencës dhe përdorimin me efektivitet të parasë publike, u shpreh sot ministri për Informacionin dhe Teknologjinë e Informacionit të Komunikimit, Genc Pollo.

I pranishëm në konferencën “Modernizimi i sektorit te shendetesise: si te perfitojme me shume transparence prej teknologjive te informacionit”, organizuar nga ISKSH dhe Fondacioni gjerman ‘Konrad Adenauer’, Pollo solli në vëmendje faktin se Shqipëria ka marrë një vit më parë çmimin e dytë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për zonën e Evropës dhe Amerikës së Veriut, për Prokurimin Publik 100% elektronik.

Sipas tij, kjo është një njohje e rëndësishme për vendin tonë, në rritjen e transparëncës, përgjegjësisë dhe gatishmërisë në shërbimin publik, dhe OKB ka vendosur ta përdorë këtë projekt të Shqipërisë si model për vendet e Azisë dhe Afrikës Veriore.

Ndërsa u ndal tek avantazhet e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për përmirësimin e sektorit shëndetësor, Pollo tha se “me anë të saj mund të përmirësohet shërbimi shëndetësor, të krijojmë mbështetje në kohë reale për kujdesin klinik, të sigurojmë informacion online për publikun dhe informacionet shkencore në ndihmë të profesionistëve, por edhe mbështetje të funksioneve administrative duke rritur cilësinë e shërbimeve të ofruara për qytetarët”.