Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 10:30

Tiranë – Shqipëria është renditur edhe njëherë si një nga destinacionet turistike më të mira për vitin 2012, këtë herë nga kompania “Cox and Kings”, pavarësisht se konsiderohet një vend i vogël dhe pak i njohur në arenën ndërkombëtare.

Vitin e kaluar Shqipëria u rendit nga “Lonely Planet” si destinacioni më i mirë turistik, ndërsa “Financial Times” e quajti si një prej perspektivave në zhvillim më intriguese.  Ndërkohë në vitn 2012 Shqipëria ka hyrë në renditjen e “MSN Travel” dhe tashmë edhe të “Cox & Kings”, si një nga destinacionet më tërheqëse të këtij viti.

“Cox and Kings”, njëra prej kompanive më të mëdha të udhëtimeve në botë e rendit Shqipërinë në vendin e katërt, në një listë të shkurtër dhe shumë prestigjioze.

“Cox and Kings” e përshkruajnë Shqipërinë si një si një vend me bukuri të rralla natyrore, male të thyera, të mbuluara nga dëbora në pjesën më të madhe të vitit, plazhe me rërë të bardhë dhe lugina të gjelbra.

Ndërsa, “MSN Travel” në një shkrim të saj, kujton që Shqipëria pas një kohe të gjatë nën diktaturë, tashmë është zgjuar. “Shqipëria është në zemër të mesdheut, por për shkak të viteve të diktaturës, shpesh është lënë jashtë programeve të agjencive të udhëtimit. Bota dalëngadalë  tashmë po e sheh si një potencial të madh turistik, për plazhet dhe historinë”, shkruan”MSN Travel”. (LajmeShqip.com)