Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 13:51

Shkup – Numri i turistëve nga Maqedonia në Shqipëri gjatë këtij sezoni veror ka shënuar rritje. Pas liberalizimit të regjimit të vizave, një numër i konsiderueshëm i turistëve nga Maqedonia, që pushojnë në qytetet jugore të Shqipërisë, udhëtojnë edhe përmes Greqisë.

Pronarët e agjencive turistike thonë se nuk është shënuar rënie e dukshme e fluksit të turistëve as në gusht, për shkak të Muajit të Ramazanit.

“Nuk ka rënie sepse shqiptarët nga Maqedonia që kryesisht i takojnë konfesionit islam, tradicionalisht pushojnë në muajin korrik, kurse maqedonasit preferojnë muajin gusht”, ka thënë pronari i një agjencie turistike në Shkup.

Se vendkalimi kufitar me shtetin shqiptar ka qenë i frekuentuar, e dëshmon edhe zëdhënësi i policisë Borçe Peshevski. Sipas tij, në periudhën janar-korrik të këtij viti, nga Maqedonia në Shqipëri kanë udhëtuar për 25 për qind më tepër qytetarë se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Në periudhën janar korrik të vitit 2011 në Shqipëri kanë udhëtuar 165 mijë qytetarë të Maqedonisë. Kjo shifër është më e lartë 35 mijë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur në Shqipëri kanë udhëtuar 130 mijë qytetarë të Maqedonisë”, deklaroi Peshevski.

Autoritetet kufitare konfirmojnë se bëhet fjalë kryesisht për turistë, sepse rreth 120 mijë prej tyre në Shqipëri kanë udhëtuar në muajin qershor dhe në muajin korrik. Njëkohësisht, për 20 mijë është rritur edhe numri i qytetarëve të Maqedonisë që kanë udhëtuar në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Ky numër posaçërisht është rritur në muajin korrik, që tregon se pas ndërtimit të Rrugës së Kombit shumë turistë nga Maqedonia në bregdetin shqiptar udhëtojnë përmes Kosovës.

Por, paralelisht me rritjen e numrit të pushuesve nga Maqedonia në Shqipëri shtohet edhe numri qytetarëve të Maqedonisë që janë të interesuar të blejnë apartamente në Shqipëri. Këtë e dëshmojnë edhe shumë bilborde në Shkup dhe qytetet tjera të Maqedonisë, ku reklamohen apartamente që shiten në bregdetin shqiptar. (LajmeShqip.com)