Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 16:11

Kompanitë farmaceutike në Shqipëri do të detyrohen nga Komisioni për Çmimin e Barnave që të ulin çmimet në rastet kur do të rezultojë se ato janë më të larta se nga vendet ku importohen.

Referuar vendimit të sotëm të qeverisë, çmimet e barnave në Shqipëri do të krahasohen me çmimet e barnave në Greqi, Itali dhe Maqedoni, vende nga të cilat importohen sasitë më të mëdha të barnave. Përmes një vendimi për mënyrën e funksionimit të Komisionit të Çmimit të Barnave, qeveria i ka hapur rrugë marrjes së informacionit nga tre vendet fqinje, në mënyrë që të bëjë krahasimin dhe rregullimet e nevojshme lidhur me çmimet e barnave në tregun vendas.

Në rastet kur do të rezultojë se një ilaç kushton më shtrenjtë në Shqipëri sesa në vendin nga ku është importuar, atëherë kompanive farmaceutike do t’u kërkohet ulja e çmimit. Ky vendim vjen si rekomandim i Bankës Botërore e cila ka kërkuar kryerjen e një studimi dhe bërjen e transparencës në këtë treg, në mënyrë që çmimet të jenë të përafërta me ato të vendeve të rajonit dhe të përballohen nga qytetarët.