Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 12:00

Tiranë – Turizmi shihet si një nga sektorët kryesorë mbi të cilët mbështetet zhvillimi i Shqipërisë dhe kjo jo vetëm nga Qeveria shqiptare, por edhe nga investiorët e huaj në vendin tonë.
Pikërisht për të vënë në dukje potencialin që ka vendi ynë në këtë sektor, u zhvillua sot në Pallatin e Kongreseve konferenca e organizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) dhe Elida Co’94 me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kjo konferencë u mbajt në kuadër të çeljes së panairit mbi potencialet turistike në Shqipëri. 
Presidenti i FIAA-s, Patrick Pascal, u shpreh se Shqipëria është një vend mjaft tërheqës dhe me potenciale të mëdha natyrore që i mundësojnë asaj zhvillimin e turizmit. Ai falenderoi pjesemarrjen e  gjerë të investitorëve të huaj në këtë panair si dhe ambasadorët e huaj në Shqipëri, si ambasadorin amerikan,  Aleksandër Arvizu, ambasadoren franceze, Maryse Daviet, si dhe ambasadorët e Kroacisë, Sllovenisë dhe Malit të Zi.
“Ne besojmë se kjo konferencë do të jetë një shtysë me rëndësi për aktivitetin ekonomik të vendit, duke ofruar gjithashtu një vizion më të qartë për investitorët që tashmë kanë filluar projektet e tyre në Shqipëri dhe ata që janë të interesuar të investojnë në zhvillimin e turizmit dhe real estate në Shqipëri”, u shpreh Patrick Pascal.
Ndërsa ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, e konsideroi Shqipërinë një vend të bekuar, me bukuri natyrore pa fund. “Shqiptarët janë një popull krenar për vendin dhe kulturën e tyre. Eshtë e habitshme sa shumë shqiptarë praktikojnë gjuhë të huaja, anglisht mbi të gjitha. Turizmi shqiptar premton shume”, ka deklaruar ambasadori Arvizu. 
Më tej ai vijoi se, “janë të shumta arsyet se përse duhet të jemi optimiste përsa i përket zhvillimit të turizmit në Shqipëri. Janë të shumta arsyet se pse duhet vizituar ky vend. Shqipëria është e bekuar me bukuri natyrore të pafund, tashmë vendi juaj është akoma më afër, e akoma më shumë pjesë e Europës dhe kjo e bën që të jetë më tërheqës për turistët europiane, dhe jo vetëm për ta, pasi Europa është në fokusin e shumë turistëve nga thuajse e gjithë bota. Në Shqipëri kanë filluar të vijnë edhe anije kroçere, një pjesë e turizmit kjo që ka filluar të zhvillohet së fundmi. Po ashtu, ju keni një aeroport, i cili po ecën shumë mirë, e me sa kam dëgjuar unë parashikohet edhe hapja e disa të tjerëve. Shqiptarët janë një popull krenar për vendin dhe kulturën e tyre.  Turizmi shqiptar premton shumë, por nuk mund të them që nuk ka dhe probleme e sfida që duhen kaluar. Duhet patjetër që çdo gjë të jetë e planifikuar, sidomos përsa i përket ndërtimeve në zona turistike. Gjithashtu duhet zgjidhur përfundimisht çështja e pronësisë mbi tokën, pasi pengon zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori”, tha Arvizu.
Ai kërkoi të ruhet stabiliteti i vendit, me qëllim zhvillimin e turizmit. “Ju bëj thirrje gjithashtu që të ruani stabilitetin në vend, kjo është shumë e rëndësishme. Unë e shoh shumë të ndritur të ardhmen e turizmit shqiptar, kështu e kam menduar që në fillimin e eksperiencës time si ambasador në vendin tuaj’, përfundoi Arvizu.
Ndërsa zv/ministrja e TKRS-së, Suzana Turku, theksoi se, “Qeveria shqiptare në planin e saj gjatë viteve 2009-2013 e konsideron zhvillimin e turizmit si një nga tre fushat prioritare të zhvillimit të shpejtë dhe të qëndrueshëm të vendit dhe vendosjen e tij në një pozicon konkurrues në rajonin ballkanik”. 
“Turizmi si një industri e rritjes të shpejtë, që prodhon të ardhura, hap vende pune, rrit mirëqenien për komunitetet pritëse, konsiderohet si një urë që i sjell kulturat pranë njëra-tjetrës, si ndërtesa e njerëzve me kultura e fe të ndryshme që inkurajon mirkuptimin dhe jep kënaqësi”, tha Turku.
Sipas saj, “ne duhet të punojmë për të qenë konkurrues. Shqipëria është një vend i bukur dhe shumë tërheqës. Ajo ka një gamë atraksionesh historike, kulturore dhe natyrore që përbëjnë një interes të madh për turistët ndërkombëtar”.
Veçoria e Panairit të Turizmit janë tre panelet që do të fokusohen secili mbi një temë kyçe për sektorin e turizmit në Shqipëri; turizmi sot dhe nesër, krijimi i një mjedisi rregullator që nxit zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe mundësitë e Shqipërisë si një destinacion me interes për investime në fushën e turizmit.
Panairi i Turizmit mirëpret rreth 50 subjekte të ndryshme që operojnë në fushën e turizmit në Shqipëri, rajon dhe më gjerë, duke përfshirë përfaqësues të destinacioneve turistike me prioritet dhe interes më të madh në Shqipëri si, projekte me resorte turistike, porte, operatorët turistikë si dhe agjenci kombëtare, bashki, komuna si dhe projekte të zhvillimit të turizmit në Shqipëri.