Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 11:59

Tiranë – Edhe këtë vit zgjedhjet po japin efektin e tyre në rritjen e shpenzimeve dhe të defiçitit buxhetor. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Ministria e Financave treguan se për tremujorin e parë të vitit, defiçiti buxhetor ishte 12 miliardë lekë, nga 4.2 miliard lekë që ishte për të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Siç pritej, rritja e defiçitit ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së shpenzimeve, që për tre muajt e parë të vitit kishin vlerën e 89 miliardë lekëve, nga afro 77 miliard lekë që ishin vitin e kaluar.

Rritja e shpenzimeve nuk është ndjekur në të njtën masë nga të ardhurat, që krahasuar me një vit më parë janë rritur me vetëm 700 milion lekë ose më pak se 1%. Kjo ka sjellë në mënyrë të paevitueshme edhe rritjen e defiçitit.

Ministria e Financave nuk e ka publikuar planin tremujor të të ardhurave, gjë që e bën të pamundur krahasimin progresiv të shifrave në raport me planin. Por, nëse për të gjithë vitin 2011 objektivi është një rritje e të ardhurave me rreth 12%, me ritmin e tremujorit të parë realizimi është shumë i largët.

Periudhat parazgjedhore në Shqipëri historikisht janë karakterizuar nga një rritje e shpenzimeve publike dhe nga një ulje e presionit tatimor për mbledhjen e të ardhurave nga bizneset. Pa paragjykuar punën e institucioneve që menaxhojnë financat publike, mund të themi se statistikat e këtij viti po tregojnë qartë të njëtën tendencë.

Rritja e të ardhurave në buxhet për tremujorin e parë nuk mbulon as masën e natyrshme të rritjes ekonomike, që sipas projeksioneve për këtë vit pritet të jetë mes 3% dhe 4%.

Ndërsa, shpenzimet janë rritur me afro tre herë dhe kjo tendencë nuk përputhet me qëllimin për uljen e të defiçitit, që, sipas buxhetit të votuar në Kuvend, për vitin 2011, duhet të jetë sa 3.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.