Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 15:10

Tiranë – Në muajin mars Autoriteti i Komunkimeve Elektronike dhe Postare miratoi vendimin për orientimin në kosto të tarifave celulare me shumicë.

Sipas vendimit, tarifat që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për thirrjet mes rrjeteve do të ulen në mënyrë të përshkallëzuar deri në vitin 2014.

Ulja e parë e tarifave hyri në fuqi që në fillim të muajit mars dhe sipas vendimit të AKEP tarifa e terminimit drejt rrjeteve AMC dhe Vodafone Albania ulen nga 10.5 në 8.85 lekë për minutë.

Për Eagle Mobile tarifa e terminimit u ul nga 12.9 në 10.9 lekë për minutë. Kjo ulje tarifash nënkupton se që prej një muaji operatorët celularë i paguajnë rreth dy lekë më pak për minutë njëri-tjetrit për çdo thirrje që ne kryejmë mes rrjeteve të ndryshme. Por, ndryshe nga ç’ishte qëllimi i AKEP, kjo ulje tarifave me shumicë nuk është reflektuar tek tarifat që paguajnë konsumatorët. Po të shohësh faqet e internetit të operatorëve celularë, tarifat e thirrjeve mes rrjeteve të ndryshme nuk kanë ndryshuar dhe ngelen mjaft të larta. Tarifat që paguajnë përdoruesit janë sot të paktën dy herë e gjysmë më të larta se tarifa e terminimit që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit.

Prej më shumë një muaji, tre operatorët celularë fitojnë dy lekë më shumë për çdo minutë thirrje që ne kryejmë mes rrjeteve të ndryshme. Kjo tregon qartë se ulja e tarifave me shumicë, të paktën në këtë fazë të parë, nuk po shkon në favor të përdoruesve, por vetëm në interes të operatorëve celularë.