Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 17:40

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, ka vendosur të ulë tarifat e terminimit të mesazheve të shkruara në rrjetet celulare.

Tarifa e terminimit është çmimi që çdo operator përfiton për dërgimin e mesazheve në rrjetin e tij. Duke filluar që nga 1 Janari i vitit të ardhshëm, tarifa për SMS do të ulet nga 3 lekë në 2.4 lekë.

Ulja do të vazhdojë edhe me dy faza të tjera deri në shtator të vitit 2013, kur tarifat e terminimit të mesazheve do të bien në 1.44 lekë, sa gjysma e vlerës aktuale. Kjo është hera e parë që AKEP-i merr përsipër të rregullojë tarifat për mesazhet e shkruara, sepse më parë rregullimi i tregut me shumicë bëhej vetëm për terminimin e thirrjeve zanore.

Sipas AKEP-it, ulja do të bëhet në kuadrin e orientimit në kosto të tarifave me shumicë të telefonisë së lëvizshme. Synimi është që ulja e tarifave të terminimit të sjellë ulje të tarifave për përdoruesit.

Megjithatë, deri tani kjo strategji e AKEP-it nuk duket të ketë sjellë përfitime të dukshme për konsumatorët. Në muajin mars, tarifat me shumicë për kryerjen e thirrjeve drejt rrjeteve “AMC” dhe “Vodafone Albania” u ulën në 8.85 lekë për minutë, ndërsa për “Eagle Mobile” në 10.89 lekë për minutë.

Ndërkohë, nga 1 shtatori tarifat e terminimit në rrjetet “AMC” dhe “Vodafone Albania” u ulën në 7.57 lekë për minutë, ndërsa për “Eagle Mobile” në 8.85 lekë për minutë.

Por që nga Marsi dhe deri tani përdoruesit nuk kanë pasur ndonjë përfitim nga rregullimi i tarifave. Megjithëse i paguajnë më pak njëri-tjetrit, operatorët celularë nuk i kanë ulur tarifat për konsumatorët fundorë dhe thirrjet ndërmjet rrjeteve vazhdojnë të jenë të shtrenjta, në nivelet e mëparshme.

Operatortë celularë ofrojnë tarifa shumë të lira për thirrjet brenda rrjeteve dhe brenda grupeve, për të rritur numrin e abonentëve.

Tarifat shumë të lira dhe ndoshta nën kosto të thirrjeve brenda rrjetit, operatorët celularë i subvencionojnë përmes mbajtjes së tarifave shumë të shtrenjta për thirrjet jashtë rrjetit.