Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 15:21

Trianë – Rriten interesat për kreditë afatshkurtra dhe ulen ato për kreditë afatgjata. Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë treguan se për muajin shkurt bankat rritën në mënyrë të fortë interesat për kreditimin afatshkurtër deri në 6 muaj, kategori që përfshinë kryesisht financimin për kapital qarkullues të bizneseve.

Norma e interesit për këto kredi u rrit në shkurt në 21%, nga 14% ishte në muajin janar. Më e stabilizuar është tendenca për financimet me afat më të gjatë.

Kreditë me afat shlyerjeje deri në një vit janë disbursuar me një normë mesatare interesi prej 12%, po aq sa në muajin janar, ndërkohë që kreditë me afat më të gjatë kanë shfaqur një rënie të normave të interesit. Kreditë me afat maturimi deri në 3 vjet janë dhënë me një normë mesatare interesi 15%, ato me afat deri në 5 vjet me interes 14% dhe ato me afat mbi 5 vjet me një normë interesi 10%. Të treja kategoritë e mësipërme kanë njohur një rënie me 1% të normës së interesit krahasuar me muajin janar.

Nëse krahasojmë normat e interesit me të njëjtën periudhë të vitit 2010, në përgjithësi ato paraqiten më të ulta. Politika monetare çliruese e ndjekur në dy vitet e fundit duket se ka dhënë efekte.

Por, vendimi i papritur i muajit mars për të rritur normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje duket se shtron perspektiva të reja për të ardhmen e çmimit të kredive. Rritja është reflektuar menjëherë në interesat e Bonove të Thesarit dhe pritet të transmetohet edhe në interesat e kredive në lekë.