Biznesi shqiptar gjatë këtij viti po merr më shumë kredi. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 10-mujorin kredia e re për bizneset kishte vlerën e 183.5 miliardë lekëve, me një rritje prej 3.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010.
Ndonëse me rritje modeste, tendenca e kreditimit të biznesit gjatë vitit paraqitet pozitive. Kreditimi kishte rezultuar në rënie deri në fund të 9-mujorit, kur për herë të parë kredia e re për biznesin tejkaloi vlerat e vitit të kaluar.
Biznesi merr kryesisht hua për nevojat të financimit afatshkurtër të aktivitetetit. Afro 70% e kredisë së re është marrë për overdraft ose kapital qarkullues dhe pakica e mbetur për investime.
Raporti i përdorimit të kredisë dëshmon se biznesi është pesimist për kryerjen e investimeve të reja dhe nuk ekziton një frymë e zgjerimit të kapaciteteve prodhuese.
Ky është një tjetër sinjal negativ në formimin e pritshmërive për rritjen ekonomike në vitet e ardhshme. Tregtia vazhdon të jetë sektori më i kredituar i ekonomisë dhe zë rreth 41% të totalit.
Për 10 mujorin, portofoli i ri i kredisë për bizneset e këtij sektori arriti në 75 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 3.8%.
Me ritëm akoma më të mirë është rritur kredia e re për industrinë përpunuese, që për 10-mujorin kishte vlerën e 25 miliardë lekëve, me një rirtje vjetore 6.7%.
Ndër sektorët më me peshë në kreditim, ndërtimi ngelet i vetmi në vlera negative të rritjes. Gjatë 10-mujorit, kredia e re për sektorin e ndërtimi ra me 11%, në vlerën e 23 miliardë lekëve.