Tiranë-Norma e interesit për bonot e thesarit me maturim 12-mujor njohu një rritje të ndjeshme dhe të papritur në ankandin e ditës së sotme.
Norma mesatare e ponderuar e interesit arriti në 7.21%, nga 7% që kishte qënë në ankandin paraardhës.
Në ankand u emetuan bono në vlerën e 11.8 miliardë lekëve. Ndonëse oferta për financim ishte më e lartë se kërkesa e qeverisë për borxh, interesat sërish njohën rritje.
Tendencë e kundërt u vërejt për bonot me afat maturimi 6-mujor. Interesi mesatar i ponderuar ra në 6.09%, nga 6.23% që ishte në ankandin paraardhës.
Borxhi i emetuar me bono 6-mujore kishte një vlerën e 4.5 miliardë lekëve, nga të cilat 3.2 u blerë nga Banka e Shqipërisë me ofertë jo konkurruese.
Ky është edhe një nga faktorët që ka çuar në tendenca të kundërta të normave të interesit.
Borxhi me maturim 6-mujor kishte vlerë më të ulët dhe pjesa më të madhe u ble nga Banka e Shqipërisë, ndërsa borxhi me maturim 12-mujor kishte një vlerë tre herë më të lartë.
Por faktori kryesor që ka ndikuar në ecurinë e kundërt të interesave të borxhit besohet të jetë edhe afati i maturitetit. Në kushtet kur gjendja e ekonomisë dhe tregjeve globale paraqitet mjaft e pasigurt, investitorët i vlerësojnë më të rrezikshme ekspozimet afatgjata.
Në fakt, borxhi sovran i Shqipërisë nuk ka pësuar zhvlerësime dhe ngelet në nivelin B1 sipas klasifikimit të Moody’s dhe B+ sipas Standard and Poors. Por thellimi i krizës ka shtuar shqetësimet për ndikimet që ajo mund të ketë në ekonominë dhe në financat publike shqiptare.
Ndikim negativ mund të ketë pasur edhe lajmi i javës së kaluar se kriza energjitike mund të gllabërojë fondin e kontigjencës, madje mund të detyrojë qeevrinë ta rishikojë buxhetin gjatë muajve në vijim.
Pamundësia për të parashikuar plotësisht peshën që do të ketë blerja e energjisë mund të ketë shtuar tek investitorët shqetësimin se këto shpenzime mund të përkeqësojnë treguesit fiskalë dhe të rrisin nivelin e borxhit. (LajmeShqip.com)