Lajme Shqip Tuesday, 28 February 2012 14:30

Tiranë-Tregu i sigurimeve e ka nisur vitin 2012 me një rënie drastike. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për muajin Janar të ardhurat nga primet ranë me afro 32% krahasuar me një vit më parë.

Segmenti i jo-jetës vazhdon të shfaqë ecurinë më negative, me një rënie prej 35%. Edhe tregu i sigurimit të jetës ka rënë me rreth 13%, por ka rritur peshën ndaj totalit të tregut.

Sigurimi i jetës për muajin Janar zinte mbi 20% të volumit të tregut të sigurimeve, pjesa më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Të ardhurat kanë rënë si për sigurimet vullnetare, ashtu edhe për ato të detyrureshme.

Rënia e vazhdueshme e të ardhurave ka qënë edhe një faktorët që kompanitë vendosën të rrisin çmimet e sigurimit të detyrueshëm motorrik.

Pas liberalizimit të çmimit vitin e kaluar, kompanitë nisën një garë për ulje të çmimeve, që zgjati deri në Janar të këtij viti dhe rezultoi me rënie të ndjeshme të të ardhurave të tyre.

Befas, në fillim të muajit Shkurt të gjitha kompanitë rritën njëkohësisht çmimet, në të njëjtat vlera, çka ngjalli dyshimet për marrëveshje të fshehtë dhe shtyu Autoriteti e Konkurrencës të hapë hetim.

Njëkohësisht me rënien e të ardhurave, kompanitë e sigurimeve kanë pësuar një rritje në pagesën e dëmeve, me rreth 7.5% krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, numri i dëmeve është rritur me rreth 37%, çka do të thotë që kompanitë e sigurimeve kanë zhdëmtuar realisht më pak. Pagesa mesatare për dëm është ulur në 129 mijë lekë, nga 164 mijë lekë që ishte një vit më parë. (LajmeShqip.com)