Lajme Shqip Tuesday, 28 February 2012 19:30

Procesi i rekrutimit në administratën qëndrore dhe vendore cilësohet si një proces fiktiv, me fitues të paracaktuar dhe me skema tashmë të evidentuara.

Në raportin vjetor të punës, Komisioni i Shërbimit Civil ka ngritur shqetësimin se po kryen një serë praktikash, shpesh antiligjore në procesin e plotësimit të vendeve të punës në administratë.

Një nga shqetësimet kryesore që vëren Komisioni, është ai i plotësimit të vendeve që i përkasin Shërbimit Civil, me personel të rekrutuar me kontratë të përkohshme, dhe jo me konkurs sikurse parashikon ligji. Referuar raportit, në institucionet qëndrore janë konstatuar 228 pozicione pune që bëjnë pjesë në shërbimin civil që janë plotësuar nga emërime me kontrata.

Në raste të tilla, Komisioni thotë se institucionet e argumentojnë moshapjen e konkurseve, me mungesën e fondeve dhe me koston e lartë që ka kjo procedurë. Megjithatë, edhe në rastet kur njoftohet zhvillimi i një konkursi, vërehet se bëhet vetëm ligjërimi i punonjësve egzistues, që më parë janë emëruar me kontratë.

Sipas raportit, në të njëjtin konkluzion, të çon dhe fakti se pjesëmarrja në konkurime është në nivelin më të ulët, ku konkurimet zhvillohen me nga 4-5 konkurentë, çka tregon se besueshmëria ndaj procesit të konkurimit ka rënë ndjeshëm.

Po ashtu, një shqetësim tjetër  për të cilin është kërkuar nga Komisioni, ndërhyrja e Kontrollit të Lartë të Shtetit, janë edhe listat e pritjes apo refuzimi për të zbatuar plotësisht vendimet për shkarkimet e padrejta.

Në asnjë rast, institucionet qëndore dhe vendore nuk kanë kthyer në të njëjtin vend pune një punonjës për të cilin është marrë vendimi për t’u kthyer në punë. Kjo i sjell një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit, pasi për të njëjtin vend pune, paguhen dy persona.  Po ashtu, një veprimtari e denoncuar nga Komisioni i Shërbimit Civil është edhe e ashtuquajtura “liste pritjeje”.

Në këte liste shënohen emrat e punonjësve të larguar nga administrata per shkak shkurtimesh apo ristrukturimesh, por që vetë institucionet duket se nuk “preferojnë” të rekrutojnë personel nga kjo listë, duke sjellë sërish dëm për buxhetin e shtetit, pasi edhe punonjësi i rekrutuar me kontratë të përkohshme, edhe ai që është në listën e pritjes, duhet të paguhen nga buxheti i shtetit.

Duke renditur problematikat kryesore, Komisioni i Shërbimit Civil ka propozuar një serë masash për zgjidhjen e këtyre problemeve, duke kërkuar gjithashtu fuqizimin e pozitave dhe vendosjen e këtij institucioni të planifikuar për t’u shkrirë, në krah të Gjykatës Administrative, që pret votën parlamentare.