Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 20:30

Opozita shpreh shqetësimin se rritja ekonomike e vendit është në rrezik dhe qeveria nuk do të sigurojë dot nivelin e të ardhurave të  planifikuar në buxhet.

Depueti Arben Malaj tha se projektbuxheti nuk reflekton pasojat e rënda që mund të ketë në ekonominë shqiptare kriza  në të cilën ndodhen dy partnerët kryesorë tregtarë, Greqia dhe Italia.

Deputetja Mimi Kodheli akuzoi qeverinë se nuk ka arritur të bëjë ristrukturim të ekonomisë dhe, me gjendjen aktuale, nuk do të arrijë ta ulë dot borxhin. Ajo u shpreh se borxhi real publik e ka kaluar nivelin 60%.

Sipas vlerësimeve të Partisë Socialiste janë afro 200 milionë euro borxh i padeklaruar, në formën e detryimeve të pashlyera ndaj firmave kontraktore.

Ndërsa deputeti Arben Ahmetaj vuri në dukje se në vitet e fundit investimet e brendshme kanë ngelur të pandryshuara, ndërkohë që rritja ekonomike është mbështetur nga kërkesa e jashtme.

Sipas tij, të ardhurat në buxhet nuk kanë njohur rritje në terma realë dhe rritja e kredive të këqija ka krijuar një mjedis të vështirë për biznesin dhe për sistemin financiar.

Përballë akuzave dhe skepticizmit të opozitës, ministri i Financave tha se ekonomia shqiptare është në gjendje të sigurojë rritje edhe për vitin 2012, ndërkohë që theksoi se këtë vit objektivi kryesor është mbajtja nën kontroll të borxhit dhe qëndrueshmëria makroekonomike.

Projektbuxheti i paraqitur nga qeveria në Kuvend parashikon një rritje vjetore të të ardhurave me 8%, të shpenzimeve me 5%, një deficit buxhetor 3% dhe borxh publik pak më të lartë se 58%.