Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 14:36

Tiranë- Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të shtunën nen për nen vetëm me votat e deputetëve të maxhorancës buxhetin e shtetit për vitin 2012. Drafti i hartuar nga Ministria e Financave, pas një muaji debatesh dhe diskutimesh në komisionet e përhershme parlamentare, pritet të miratohet të hënën në seancë plenare.

Totali i të ardhurave që do të mblidhen për vitin 2012 parashikohet me një rritje prej 8 %, ose 356 miliardë lekë, me një rendiment fiskal prej 25.5 % të PBB-së. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohen 251 miliardë lekë. Të ardhurat nga fondet speciale do të kenë një ritëm rritje me 5.6 % .

Shpenzimet e buxhetit të shtetit parashikohet të jenë në parametrat që të mundësojnë një defiçit jo më shumë se 3 %, ose 397 miliardë lekë, që përbëjnë 28.5 % e PBB-së. 

Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka bërë të ditur se objektivat që do të përmbushë buxheti i shtetit i vitit 2012 do vazhdojnë të jenë ruajtja e stabilitetit makroekonomik, por për të mbajtur lart kërkesën e brendshme do të vijohet me rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe mbështetjen me rreth 5 % e PBB-së të investimeve publike.

Opozita, ashtu siç veproi edhe në votimin në parim, ka deklaruar votën kundër. Sipas tyre, drafti nuk është realist si dhe rrezikon rritjen e borxhit publik të vendit mbi tavanin e vendosur prej 60 % të PBB-së.

Deputeti socialist, Arben Ahmetaj, deklaroi se PS-ja do votojë pro buxhetit, vetëm nëse merren parasysh propozimet e opozitës. Paketa e propozimeve, sipas Ahmetajt, parashikon uljen ose heqjen e TVSH-së për disa artikuj bazë ushqimorë, heqjen e TVSH-së për ilaçet, si dhe vendosjen e tatimit progresiv.

Por maxhoranca ka kundërshtuar këtë kërkesë të opozitës. Propozimet e PS-së janë konsideruar si një  përpjekje për të dëmtuar shqiptarët dhe fajësuar qeverinë. “Kjo nismë do favorizonte vetëm prodhuesit e mëdhenj, duke mos dhënë efekt te çmimet për konsumatorët”, ka deklaruar ministri i Financave, Ridvan Bode.