Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 18:50

Tiranë- Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, bën të ditur se nga buxheti i vitit 2010, për investimet e realizuara nga MBUMK-ja në shumën e mbi 2.4 miliard lekëve, 85 % e këtij buxheti i është akorduar programit të “Menaxhimit të Infrastrukturës së Ujitjes, Kullimit dhe Mbrojtjes nga Përmbytja”.

Eksperti i fushës në Drejtorinë e Ujrave në MBUMK, Arben Muka, bën të ditur se edhe për vitin buxhetor 2011, për ndërtimin e objekteve të mbrojtjes nga përmbytja jnë akorduar në total 1 417 395 000 lekë. Sipas tij, në objektet e mbrojtjes nga përmbytja rreth 1 miliardë lekë janë planifikuar për rehabilitimin e argjinaturave mbrojtëse të lumit Buna dhe aktualisht po punohet në 11 objekte .

Veç kësaj, me një financim të Bankës Botërore në vlerën 8 milion USD, do të rehabilitohen 3 hidrovorë në zonën e Shkodrës dhe Lezhës. Aktualisht me një financim prej 1 milion USD, Grand i Bankës Botërore, po realizohet një studim tërësor për zonën e Shkodrës për përcaktimin e masave afatgjata për mbrojtjen nga përmbytja.

Këto investime janë inspektuar në vazhdimësi nga Drejtoria teknike dhe në disa raste nga vetë ministri Ruli. Punimet tashmë kanë nisur dhe janë kryer më shumë se 50 për qind e investimit, më konkretisht në mbrojtjen nga lumi Kir, argjinatura e Çasit, mbrojtja nga lumi Buna në zonën e Dajçit, mbrojtja nga lumi Buna në zonën Daragjat, argjinatura e lumit Buna në zonën Belaj dhe Shirgj, argjinatura Vilun, me gjatësi afro 6 kilometra.

Nga inspektimet e kryera deri më tani, rezulton se investimet janë në rrugë të mbarë dhe do të përfundojnë para fillimit të sezonit të rreshjeve të këtij viti, brenda afateve të përcaktuara në kontratë.