Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 16:21

Tiranë – Programi për subvencionimin e bujqësisë po zbatohet me sukses në të gjithë vendin bënë të ditur burime nga ministria e Bujqësisë.

Sipas MBUMK-së, 8575 fermerë që kanë aplikuar për subvencion për mbjelljet e reja, janë vlerësuar nga  Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rajonal, e cila po merret dhe me proçedurat e financimit të projekteve bujqësore.

Përmes një njoftimi për shtyp, MBUMK informon se “udhëzimi për fondin e bujqësisë ka hyrë në fuqi që në datë 14 janar 2011 dhe aplikimi për fermeret ka filluar më 15 janar. Aplikimet për subvencionim të blegtorisë, serave, fermave-BIO dhe industrisë agro-përpunuese nëpërmjet subvencionimit të normës së interesit për kredi, po vazhdon akoma”.

MBUMK sqaron se menaxhimi i fondit është monitoruar edhe nga organizata të pavarura siç është SNV, që ka realizuar me qindra intervista me fermerë në të gjithë Shqipërinë, ku nuk ka rezultuar asnjë ankesë në lidhje me përzgjedhjen dhe financimin e projekteve fitues.

Gjatë 4 viteve të aplikimit të kësaj mbështetje, numri i përfituesve është rritur ndjeshëm nga viti në vit. Për vitin 2010 fondi për mbështetje ishte 15 milionë USD dhe afërsisht 40 % e tij u dha për mbështetjen e programit kombëtar per ullirin, program që u realizua sipas studimit te kryer nga MBUMK.