Lajme Shqip Monday, 12 March 2012 19:30

Tiranë- Efektet e krizës së borxheve në eurozonë po ndjehen në tregtinë e jashtme, pasi të dhënat zyrtare të INSTAT-it tregojnë se shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me partnerët e huaj në vendet e Bashkimit Europian në muajin Janar pësuan ulje.

Sipas INSTAT, në janar u vu re rënie e eksporteve dhe importeve, ku u eksportuan 13,448 miliardë lekë mallra ose 18.8 % më pak në krahasim me dhjetorin 2011, ndërsa u importuan 35 miliardë lekë mallra, me ulje 33 % dhe  deficiti tregtar arriti në 21.5 miliardë lekë.

Rënia e eksporteve dhe importeve dëshmon ulje të konsumit në vend, çka përfaqëson një ndër problemet kryesore të ekonomisë, që lidhet direkt me efektet në eurozonë.

Në raportin e tij të fundit “Standart & Poors” theksonte se efektet e krizës së eurozonës në vendet e Europës Juglindore do të reflektohen pikërisht tek eksportet dhe importet.

Megjithatë, duket pozitive lëvizja e vetë sektorit privat për të gjetur tregje me sa më pak risk. Që në muajin janar u vu re rritja e shkëmbimeve tregtare me vende të tjera, duke tejkaluar sasitë nga tregjet tradicionale, sikurse janë Italia dhe Greqia.

Disa nga partnerët tregtarë me të cilët eksporti dhe importi shënuan rritje ishin për eksportin: Austria, Holanda, Franca, Spanja, Sllovakia, etj, dhe për importin: Brazili, Kanadaja, Kosova, SHBA, Suedia, etj.

Në janar në krahasim me muajin dhjetor 2011 u rritën eksportet e grupit “Tekstile dhe këpucë” me 5.7%, çka tregon se sektori i fasonit është më dinamik në raport me të tjerët në fushat prodhuese dhe të shërbimeve.

Tregjet e huaja në Janar ulën kërkesat për eksporte për grupet “produkte kimike dhe plastike” me 87.2%, për “Materiale ndërtimi dhe metale” me 33.4%, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 21.9%, etj.

Janari shënoi kërkesë të ulët për importin e disa produkteve, duke dëshmuar ulje të nivelit të punës në fillimvit në sektorë si ndërtimi, i mobilerive, etj. Në janar importet për grupet “Prodhime druri dhe letre” u ulën 46.4%, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” 43.1%, “Produkte kimike dhe plastike” 39.6%, “Materiale ndërtimi dhe metale” 32%, etj.

Vetëm një muaj më parë, në dhjetor 2011, krahasimet me nëntorin shënuan rritje të importeve për këto grupe me 16/1% për “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, si dëshmi e fuqizimit të bizneseve kryesisht në prodhim me teknologji dhe makineri.

Ekspertët e shohin me shqetësim rënien e tregtisë së jashtme gjatë muajit janar, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.  (LajmeShqip.com)