Lajme Shqip Wednesday, 19 August 2015 14:50

Bashkëpunimi ekonomik Shqipëri – Kosovë është ende në nivele të ulëta, pavarësisht se deri më tani dy qeveritë kanë realizuar dy mbledhje të përbashkëta dhe kanë firmosur marrëveshje pwr gati çdo fushë

Të këtij mendimi janë ekonomistët në Tiranë, ndërsa bazohen edhe në të dhënat zyrtare të numrit të bizneseve që operojnë sa në Shqipëri dhe në Kosovë, ku 300 biznese kosovare janë të regjistruara në Shqipëri dhe 500 biznese shqiptare janë të regjistruara në Kosovë.

Besart Kadia, ekonomist dhe drejtor ekzekutiv i Fondacionit për Liri Ekonomike thotë për KosovaPress se shkëmbimet tregtare janë të ulëta edhe pse potenciali është i madh.

“Qeveria shqiptare dhe qeveria e Kosovës, duhet të kuptojnë se shkëmbimi ekonomik midis dy shteteve, ka potencial të madh, por gjasat janë që të mos jenë të rëndësishme për të dyja shtetet në të ardhmen, për vetë faktin se lloji i produktit apo shkëmbimit tregtar që kanë është shumë i ngjashëm me njëri-tjetrin. Të dhënat e fundit në Shqipëri tregojnë se ka afërsisht 300 biznese mikro nga Kosova ndërkohë nga Shqipëria drejt Kosovës janë 500 biznese të regjistruara me origjinë shqiptare që tregon një nivel të ulët edhe të shkëmbimit ekonomik”, tha Besart Kadia.

Sistemi i ndryshëm i taksimit krijon po ashtu probleme dhe pengesa në rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. “Nga ana tjetër qeveria shqiptare ka ndryshuar sistemin e taksimit, duke implementuar taksën progresive, që në një farë mënyre për çdo biznes nga Kosova që do të operojë në Shqipëri i ka bërë jo konkurrues dhe jo të njëjta. Pra, ideja është që çdo ndryshim taksash apo çdo ndryshim tarifash doganore apo çdo lloj strategjie tjetër e tregtisë me jashtë duhet të ndërmerret nga të dyja qeveritë njëkohësisht”, thekson eksperti Kadia.

Ai shton se nuk është e rëndësishme që të konkurrojmë Serbinë apo dikë tjetër, por ne si Shqipëri dhe Kosovë të prodhojmë dhe të specializohemi në ato fusha ku jemi të afta për të prodhuar, dhe për të cilat tregu ka nevojë.

Në dy mbledhjet e përbashkëta të qeverive Shqipëri-Kosovë janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh, sidomos në sektorin ekonomik, por implementimi i tyre po has vështirësi. Shumë biznese ankohen se paguajnë tarifa të larta në doganë apo kanë pengesa të tjera tregtare.