Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 14:25

Tiranë – Bashkëpunimi ekonomik dhe zhvillimi i sektorit hidroenergjetik midis Shqipërisë dhe Kosovës ishte thelbi i takimit të zhvilluar të premten, në Tiranë, midis zv/Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Enno Bozdo dhe Ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besim Beqaj.

Gjate takimit, zv/ministri i METE-s vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit midis dy Qeverive, në veçanti në sektorin elektroenergjetik. “Zhvillimi ekonomik është objektiv i përbashkët i të dyja vendeve dhe për të arritur këtë, rrugët që duhet të ndiqen janë rajonalizimi i tregut energjetik dhe rritja e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve” tha Bozdo, duke vlerësuar si pika kyçe informimin e mëtejshëm të bizneseve dhe liberalizimin e tregut të energjisë, për të cilin Shqipëria ka kryer më së miri “detyrat e shtëpisë”.

Ndërkohë, Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besim Beqaj, vuri theksin në planin e përbashkët për zhvillimin energjetik,  përmes së cilit synohet rajonalizimi i këtij tregu. Kjo u konsiderua nga ai si objektivi parësor për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të të dyja vendeve.

Për sa i takon bashkëpunimit midis dy vendeve, Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës theksoi se “përkrahja e biznesit me anë të rritjes së shkëmbimeve tregtare, në veçanti në industrinë e ushqimit dhe ndërtimit është një nga objektivat kryesore të vendit tonë”.

Ndërkaq, në kuadër të marrëveshjes së CEFTA-s (Central European Free Trade Agreement), Bozdo siguroi Qeverinë e Kosovës se “Shqipëria do ta ndjekë me vëmendje ecurinë e Kosovës dhe do ta përkrahë atë në çdo hap të saj”.