Gjykatat shqiptare i zvarrisin çështjet që lidhen me ekzekutimin e garancive jashtë të gjithë kufijve ligjorë.
Sipas nenit 511 të Kodit të Procedurës Civile, Gjykata është e detyruar të lëshojë urdhrin e ekzekutimit brenda pesë ditësh nga paraqitja e kërkesës së kreditorit.
Por në realitet, duke ju referuar statistikave të Gjykatës, kohëzgjatja mesatare e çështjeve të kësaj kategorie është plot 173 ditë.
Kjo shifër dëshmon qartë mënyrën e funksionimit të sistemit drejtësisë në Shqipëri. Por ky në fakt është vetëm fillimi i kalvarit për të ekzekutuar garancitë.
Urdhri i ekzekutimit është në vetvete një vendim që nuk mund të apelohet, por ligji i njeh të drejtën debitorit të bëjë kundërshtim të veprimeve përmbarimore dhe të kërkojë sigurimin e objektit të padisë.
Nëse Gjykata e pranon kërkesën për sigurimin e padisë, ekzekutimi pezullohet deri në daljen e vendimit përfundimtar për ankesën e paraqitur nga debitori.
Për çështjet e gjykuara gjatë vitit 2011, kohëzgjatja mesatare e çështjeve për kundërshtim të veprimeve përmbarimore është 124 ditë, ndërkohë që Kodi i Procedurës Civile parashikon se vënia në ekzekutim e titullit ekzekutiv duhet bërë 15 ditë pas lëshimit nga gjykata.
Realiteti është që vetëm procedurat gjyqësore zgjasin mesatarisht 297 ditë. Që nga fillimi i këtij viti, në Gjykatën e Tiranës janë paraqitur mbi 7 mijë kërkesa për nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit.
Statistikat zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dëshmojnë për një fluks shumë të madh kërkesash për ekzekutim, që në një pjesë të madhe i takojnë bankave tregtare që kërkojnë ekzekutim të detyrueshëm të garancisë së parashikuar në kontratat e kredisë.
Numri i madh i kërkesave dëshmon qartë përmasat shqetësuese të problemit të ekzekutimit të garancive dhe dëmin e madh ekonomik nga shkelja e afateve ligjore.