Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 12:49

Tiranë – Për herë të parë pas shumë vitesh, prodhimi industrial kalon atë të ndërtimit në ekonominë shqiptare.

Të dhënat e publikuara dje nga Instat treguan se për tremujorin e fundit të vitit 2010, vlera e produktit të brendshëm industrial ishte 28.7 miliard lekë, ndërkohë që vlera e produktit të ndërtimit ishte 26.3 miliard lekë.

Arjan Kadareja, ekspert ekonomie, thotë se përmbysja e këtij raporti është tregues se rritja ekonomike po stimulohet kryesisht nga kërkesa e jashtme.

Ai parashikon që edhe për vitin 2011 rritja ekonomike të jetë pranë nivelit 4% dhe përsëri do të vazhdojë të mbështetet në kërkesën e jashtme.

Instituti i Statistikave publikoi të enjten Produktin e Brendshëm Bruto për tremujorin e fundit të vitit 2010, prej nga rezultoi se rritja ekonomike tremujore ishte 5.4%, ndërsa për gjithë vitin ishte 3.9%.

Sektorët ekonomikë me rritjen më të lartë për tremujorin e fundit të vitit ishin industria me 24.4%, tregtia me 12.8% dhe transporti me 7.1%.