Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 18:35

Tiranë- Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin pasi diskutoi sot p/ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7746 datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, i miratoi ato vetëm me votat e mazhorancës.

Opozita e kundërshtoi miratimin e këtij ligji, pjesë e të cilit është dhe kompania Albpetrol dhe kërkoi që procesi i privatizimit të shtyhej në kohë në mënyrë që të krijohej një panoramë e qartë për këtë sektor.

Deputeti socialist, Eduard Shalsi u shpreh se “në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës ka mungesë transparence”.
 I ftuar në komision, zv.ministri i METE-s, Eno Bozdo i’u përgjigj pyetjeve të opozitës. “Nga 2004-2011 janë investuar rreth 482 milionë dollarë, ndërsa prodhimi në vite ka ardhur duke u rritur”, tha ai.

Në bazë të ndryshimeve të propozuara nga ministria e Ekonomisë dhe të miratuara nga Qeveria, në p/ligj parashikohet që kompania e cila do të privatizojë “Albpetrol” do të kryejë operacione hidrokarbure kërkimi, zhvillimi, prodhimi dhe tregtimi të naftës e gazit për 25 vjet. 

Ndryshimet në p/ligj parashikojnë rregullimin e statusit të kompanisë “Albpetrol” për privatizimin e saj dhe mbrojtjen e shoqërive të treta që kanë lidhur kontrata bashkëpunimi me të.
     Zv/ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, u shpreh se, privatizimi i kompanisë do të jetë i plotë, me të gjitha asetet që ajo ka. “Do të transferohen të drejtat e posaçme që ka si kompani publike me të gjitha të drejtat tek privati për pjesët kur ka pasur marrëveshje me të tjerë”, tha Bozdo. Ai sqaroi marrëdhëniet e reja që krijohen pas privatizimit të “Albpetrol”-it, e cila deri tani ka lidhur 7 Marrëveshje Hidrokarbure me të drejtë ndarjen e prodhimit me kompani të huaja.