Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 09:00

Bankat shqiptare gëzojnë një shëndet të kënaqshëm dhe nuk ka vend për asnjë lloj alarmimi lidhur me faktin se çfarë ndodh me vendet fqinje.

Një nga ekspertët e sistemit bankar shqiptar, Elvin Meka, shpjegon se ajo që është më e rëndësishmja për bankat që operojnë në Shqipëri, është niveli i likuiditetit dhe kapitalit që ato gëzojnë, duke iu përgjigjur me garanci biznesit dhe individëve.    

Niveli prej 18% i kredive të këqija, të arritur së fundmi në bankat në vend, flet sipas ekspertit Meka, për një përkujdesje më të madhe dhe masa më të shpejta që duhen marrë për një ulje të tyre.    

Por ky nivel, sipas tij, nuk tregon për një rrezik të sistemit bankar. Meka sqaron se ky fakt nuk prek likuiditetin e bankave, pasi humbjet nga kreditë me probleme mbulohen nga vetë fitimi i bankave dhe jo në dëm të klientëve.    

Në raportin më të fundit për Shqipërinë, FMN vlerësonte aftësinë e sistemit financiar në shmangjen e dështimit të sistemit të kreditimit dhe sugjeroi një ruajtje të stabilitetit financiar edhe në vijim.    

Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave, në deklaratat e tyre të fundit, kanë siguruar se sistemi bankar në vend është i shëndetshëm dhe nuk rrezikohet nga kriza e vendeve të rajonit.