Lajme Shqip Friday, 02 March 2012 20:15

Tiranë-Depozitat e sistemit u rritën me 11.4% për vitin 2011, duke vazhduar trajektoren pozitive të nisur që në vitin 2009. Në fund të Dhjetorit, sistemi bankar zotëronte depozita në vlerën e 875 miliardë lekëve.

Publiku shqiptar vazhdon të preferojë monedhën vendase për të mbajtur kursimet e veta dhe depozitat në lekë zinin 52% të totalit.

Kështu, sistemi bankar mbylli një tjetër vit të sigurt për sa i takon likuiditetit dhe burimeve të financimit.

Raporti mes kredive dhe depozitave ishte në nivelin 62%, çka tregon se bankat zotërojnë burime mëse të mjaftueshme për të financuar ekonominë.

Por problem kryesor tashmë duket gjetja e mundësive të përshtatshme për t’i investuar këto para.

Kërkesa për kredi ende vlerësohet në nivele të ulëta, ndërkohë që një pjesë e bankave po gjejnë pengesa edhe për të investuar në letrat me vlerë të qeverisë.

Bankat që i përkasin grupeve të huaja besohet se kanë vendosur kufizime në ekspozimin ndaj borxhit publik shqiptar, çka në muajt e fundit ka ulur ofertën për bono dhe obligacione dhe ka rritur normat e interesit.

Ndaj, në këto kushte sfida kryesore për sistemin bankar është më shumë se kurrë gjetja e mënyrave për të investuar depozitat e bollshme që zotërojnë.

Mjedisi financiar i brendshëm dhe i jashtëm sigurisht që nuk lejon iluzione se sot mund të sigurohe kredi të lehta; por, projektet serioze për investime nga biznesi duket se do të jenë më shumë se kurrë të mirëpritura. (LajmeShqip.com)