Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 09:00

Tiranë – Projekt-buxheti i hartuar nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për vitin 2012 synon të rrisë mbështetjen për fermerin shqiptar, duke adresur për këtë sektor  financime të konsiderueshme që llogariten në nivel më të lartë se në vitin 2011.   

Burime nga MBUMK-ja bënë të ditur se draft projekt buxheti 2012 për ministrinë e Bujqesisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit arrin në rreth 6.9 miliardë lekë.     

Ekspertët e bujqësisë shprehen optimistë për investimet dhe financimet e rëndësishme që janë planifikuar të realizohen vitin që vjen, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm rural në vendin tonë që, sipas tyre, po të shihen dhe në rrafshin e investimeve të planifikuara për sektorët e rrugëve, shkollave, kanalizimeve, qendrave shëndetësore, drurë frutorët, sistemet e kullimit etj, e rendisin sektorin rural si prioritar në thithjen e financimeve.     

Sipas burimeve nga ministria e Bujqësisë, përparësi financimi nga buxheti 2012 do të marrin projekti kombëtar i lancuar nga Kryeministri Sali Berisha për mbjelljen e shtimin e sipërfaqeve me arrore, lajthi, gështenja, arra, shegë dhe bajame, si projektet më të leverdisshme për vendin. Ndërkohë, projekti për ullishtarinë vazhdon të bart rëndësinë për ekonominë rurale.