Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 19:11

Bankat po i përgjigjen mirë me kapital shtimit të kredive me probleme. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, në muajin shtator, treguesi më i rëndësishëm për shëndetin e sistemit bankar, ai i mjaftueshmërisë së kapitalit, është rritur në 15.1%, nga 14.6% që kishte qënë në muajin Qershor.

Megjithëse kreditë me probleme janë rritur dhe fitimet kanë rënë, disa banka kanë reaguar me rritje kapitali, çka e ka përmirësuar sërisht treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit dhe e kanë ngritur 3.1 pikë përqindjeje sipër minimumit të detyrueshëm rregullator.

Në fund të muajit shtator, norma e kredive me probleme u rrit me 4.6 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë, ndërsa fitimi i sistemit bankar ishte rreth tre herë më i ulët. Megjithatë, kapitali i tyre rezultonte 6% më i lartë krahasuar me një vit më parë.

Në Raportin e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e parë të vitit, Banka e Shqipërisë ishte shprehur se gjatë këtij viti ndjeshmëria e bankave të veçanta ndaj rrezikut të kredisë është rritur dhe këto banka duhet të rrisin kapitalin.

Me sa duket, bankat i janë përgjigjur shpejt kësaj nevoje dhe rezultatet janë shfaqur që në fund të 9-mujorit. Në momentin kur kreditë me probleme kanë arritur nivelet më të larta historike, ky reagim rrit sigurinë e bankave për një vijim normal të aktivitetit kreditues.