Lajme Shqip Monday, 27 February 2012 18:00

Tiranë-Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim paraprak në tregun e sigurimeve, pas rritjes së çmimit të sigurimit të detyrueshëm motorrik.

Kryetarja e Komisionit të Konkurrencës, Lindita Milo, ka konfirmuar, se pas mbledhejs së informacioneve, është vendosur zyrtarisht hapja e një hetimi.

Kompanitë e sigurimeve dyshohen se kanë lidhur marrëveshje të ndaluar për të fiksuar çmimet. Zonja Milo u shpreh se, pas hetimit paraprak, pritet të nisë procedura e hetimit të thelluar.

Kjo do të thotë se nxjerrja e konkluzioneve dhe marrja e vendimeve do të kërkojnë disa muaj. Në fillim të muajit Shkurt, të gjitha kompanitë e sigurimeve rritën çmimin e sigurimit motorrik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, me gati tre herë.

Sipas një vëzhgimi të kryer sot, situata vazhdon të jetë pak a shumë e njëjta. Sigurimi i veturës kushtonte sot nga 14 mijë deri në 14,600 lekë, në varësi të cilindratës së mjetit. Agjentët e shitjeve ofrojnë ulje nga 500 deri në 1 mijë lekë, por çmimi bazë ngelet i njëjtë për të gjitha kompanitë.

E vetmja kompani që ka vendosur të thyejë atë që duket qartë një marrëveshje e fshehtë është Insig. Shoqëria në pronësi publike i ka ulur çmimet për sigurimin e detyrueshëm në rreth 10 mijë lekë, ose rreth 29% më lirë se kompanitë e tjera. Kjo lëvizje e Insig përgënjeshtron pretendimet e kompanive të sigurimit se tarifat e reja ishin imponuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Vetë AMF ishte distancuar pjesërisht nga një qëndrim i tillë. Në një deklaratë zyrtare, AMF deklaroi se ka kërkuar vetëm që çmimet të mos jenë nën kosto, por nuk ka përcaktuar tarifa të detyrueshme. (LajmeShqip.com)