Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 12:25

Tiranë – Komuniteti i biznesit i kërkoi sot qeverisë të rishikojë sërish tarifat e përcaktuara në projektligjin për amnistinë fiskale, paraqitur tashmë në Kuvend për shqyrtim në komisionet kuvendore.

Në tryezën e debatit zhvilluar nga “Biznes Albania”, ku ishin të pranishëm të gjithë aktorët, presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, si dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, u shprehën se tarifat e përcaktuara nga qeveria prej 6 % për legalizimin e aseteve janë shumë të larta, duke çuar në uljen e interesit të biznesit dhe qytetarit për të aplikuar për amnistinë fiskale.

Ata i propozuan qeverisë të rishikonte tarifat, ndërsa vlerësuan se një tarifë prej 3 % do të ishte e favorshme për t’u aplikuar për legalizimin e aseteve.

Ndërkohë, deputetë të Partisë Socialiste, të pranishëm në këtë tryezë, u shprehën skeptikë lidhur me kohën e ndërmarrjes së një hapi kaq të rëndësishëm për ekonominë dhe biznesin. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, deputet i Partisë Socialiste, tha se e para e mbi të gjitha është rreziku i kulturës së mospagimit të taksave, gjë e cila është konstatuar në vitet e para të ndërmarrjes së amnistisë fiskale edhe në vende të tjera dhe e dyta, është  konkurrenca abuzive që krijohet midis bizneseve.

“Në aspektin politik ekziston një rrisk se nëse iniciativa të tilla do të bashkëshoqërohen me fushatat elektorale, ju dhe ne së bashku, do të rrisnim presionin, se sa herë të ketë fushata elektorale gjithmonë do të ndërmerren iniciativa populiste, që siç tregon edhe kriza aktuale, janë rrënjët e përkeqësimit qoftë të ekonomisë dhe financave publike në disa vende”, theksoi Malaj.

Më tej, ai u shpreh se do të ishte e mirë që iniciativa të dilte pas një fushate elektorale dhe të kishte edhe një ekspertizë me akademikë, përfaqësues të biznesit e institucionet dhe të shikohet reforma si një reformë integrale e formalizimit të ekonomisë, duke konkluduar në ligje që kanë impakt pozitiv afatgjatë, duke përfshirë edhe formalizimin e ekonomisë shqiptare.

Por, Bregasi u shpreh se “sipërmarrësit janë të interesuar që ky ligj të kalojë në Kuvend dhe të krijojë garanci të plota ligjore që do të thotë, që të ketë mundësi të marrë 84 vota”. “Ne si sipërmarrje do të shfrytëzojmë fushatat elektorale për iniciativa në favor të biznesit”, deklaroi Bregasi. Sipas tij, është e rëndësishme që ky p/ligj të jetë i qartë, transparent, i plotë dhe të japë garancitë ligjore e teknike që do të zbatohet e që do të përfshijë të gjithë sipërmarrësit, duke përjashtuar paratë që vinë nga krimi e kontrabanda. “Ndaj, theksoi ai, i kërkojmë të gjitha palëve të mbështesin këtë projekt”.

Zëvendësministri Alfred Rrushaj përjashtoi çdo lloj mundësie që amnistia fiskale të jetë përdorur për fushatë politike apo mbledhur para në buxhet.

Qeveria, sipas tij, ka shprehur prej disa muajsh vullnetin politik për të ndërmarrë amnistinë, por ky proces, vlerësoi Rrushaj kërkonte kohën e vet për t’u materializuar.

“Paraqitja sa më shpejt e një drafti për amnistinë fiskale ka qënë një kërkesë e shtruar disa herë me insistim nga ana e biznesit, ndaj dhe nuk mund të fajësohet qeveria se pse e solli draftin në këtë moment”, tha ai, duke përjashtuar kështu faktin se koha e paraqitjes ka të bëjë me ndonjë lloj përfitimi politk.

“Përfitimi politik, nëse do ta shikonim në këtë drejtim, mund të ishte i dyanshëm, opozita ka të gjithë mundësinë që t’i bashkangjitet kësaj nisme, të thotë që maxhoanca bashkë me opozitën po pranojnë një kërkesë të hershme të biznesit, pra nëse opozita do të ishte aktive në këtë proces ka të gjitha mundësitë të ndaje kredon politike që ajo mendon se maxhoranca mund të marrë në këtë hap”, deklaroi numri dy i financave publike.

Ai bëri të qartë faktin se qeveria këtë inisiativë nuk e bën për të grumbulluar të ardhura në buxhetin e shtetit, duke vënë theksin edhe në faktin se kërkesat e biznesit janë marrë në konsideratë në mënyrë thelbësore.  “Kjo amnisti ndër të tjera synon të mbledhë dhe të mbajë paratë në vend”, tha Rrushaj.

Zv/ministri Rrushaj vuri në dukje se tarifat janë ndër më të ulëtat të aplikuara në shumë vende të botës. Sidoqoftë, tha Rrushaj, p/ligji është tashmë në Kuvend dhe do të ketë mundësinë të rishikohet gjatë debatit në komisionet kuvendore.