Lajme Shqip Wednesday, 17 August 2011 14:23

Tiranë – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka vendosur që mishi i importit duhet të jetë i çertifikuar nga Bashkimi Europian. Pjesa më e madhe e mishit që hyn në Shqipëri vjen nga tregje të mëdha globale, si Brazili apo Argjentina. Por, drejtori i Autoritetetit Ushqimor, Genc Juka, tha se tashmë mishi që importohet nga vendet jashtë Bashkimit Europian duhet detyrimisht të përmbushë standardet komunitare në këtë fushë.

Juka bëri të ditur se Shqipëria ka nisur të zbatojë standarde më të rrepta lidhur me tregtimin e qumështit dhe nënprodukteve, duke ulur sasinë e lejuar të ngarkesës bakeriale.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ngritur tashmë një rrjet elektronik për të kontrolluar dhe koordinuar importin nga pikat doganore. AKU njoftohet të paktën 24 orë përpara për çdo ngarkesë me produkte ushqimore që do të hyjë në territorin shqiptar. (LajmeShqip.com)