Lajme Shqip Tuesday, 20 March 2012 15:00

Tiranë- Çmimi i naftës në pikat e tregtimit me pakicë po i afrohet nivelit 200 lekë për litër, duke iu rikthyer niveleve më të larta të çmimit në këtë treg. Në një pjesë të mirë të pikave të tregtimit të karburantit, çmimet kanë pësuar rritje me rreth 3 lekë për litër krahasuar me disa ditë më parë. Çmimi i naftës ka shënuar një nivel 194 lekë për litër, ndërkohë që benzina shënonte vlera të ndryshme në disa pika, ku më e ulëta ishte 195 dhe më e larta 199 lekë për litër.

Luhatjet në çmimin e karburanteve prej dy vitesh janë bërë më të shpeshta, por duket se edhe këtë herë atributin për këtë shtrenjtim do ta marrin taksat. Kompanitë kanë përfunduar rezervat që kishin me një çmim më të leverdishëm dhe tashmë ka filluar karburanti i ri, që është importuar me taksë 7 lekë për litër, ndërkohë nga ana tjetër edhe dollari ka fituar sërish pikë ndaj monedhës vendase.

Ndonëse i vetmi vend në rajon që prodhon naftë, Shqipëria sërish është importuese neto e karburanteve. Pikërisht kjo rritje, thonë importuesit, është një ndër faktorët kyç, pasi nafta në tregjet ndërkombëtare blihet vetëm me dollarë. Edhe në bursa çmimi i naftës ka shfaqur një tendencë rritjeje, që gjithmonë u atribuohet vlerësimeve që kompanitë e riskut financiar bëjnë për shtete të rëndësishme apo trazirave dhe deklaratave politike mes vendeve të ndryshme.

Në bursën e Londrës, ku edhe referohen importuesit shqiptarë për blerjen e tyre, një fuçi naftë dje u shit për 124 dollarë, një çmim super i lartë. Ndërsa krahasuar me një ditë më parë, çmimi i naftës në këtë bursë ka pësuar rënie. Rritja e madhe e çmimeve të karburanteve në vend ka sjellë ulje të konsumit. Nga një vëzhgim në pikat e karburanteve në kryeqytet rezulton se çmimet e rritura në nivele rekord të karburanteve kanë dhënë efektin e tyre në rënien e furnizimit të qytetarëve me naftë e benzinë mjeteve motorike.

Sipas tregtarëve në pikat e shitjes në karburantet e kryeqytetit ka ditë që ka rënë konsumi i naftës dhe benzinës. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga të dhënat e doganave. Gjatë janarit të këtij viti importi i karburanteve është ulur me afro 30 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Duke bërë një krahasim me një vit më parë, në janar të vitit të 2011 janë importuar 27429 ton karburante nga 18640 ton të importuar janarin e këtij viti, që përkthehet në afërsisht 9 mijë ton më pak. Rënia e importit është një tregues se qytetarët po konsumojnë më pak karburant. Në 1 vit, çmimi i naftës në vend është rritur mesatarisht 30 lekë për litër, që e ka bërë të vështirë për drejtuesit e mjeteve të konsumojnë të njëjtën sasi karburanti. (LajmeShqip.com)