Lajme Shqip Saturday, 24 March 2012 12:56

Shpërdorimi i energjisë elektrike nga mungesa e efiçencës së saj llogaritet që i shkakton një dëm në tërësi prej 300 milionë euro në vit ekonomisë kombëtare.

Ekspertë të sektorit të energjisë kanë përllogaritur, përmes një studimi, përfitimet ekonomike vetëm nga efiçenca e energjisë.

Sipas tyre, nëse energjia do të përdoret me eficencë në 10 % të saj, do të konsumohen më pak rreth 700 milionë kwh/vit energji elektrike, 90 mijë tonë nënprodukte nafte të importit dhe nëse kursehen 20%, do të kursehen 1.4 miliardë kwh/vit dhe 180 mijë tonë nënprodukte nafte.

Ekspertët përcaktojnë dy shkaqe kryesore: mungesën e strukturave kontrolluese të zbatimit të ligjit për këtë çështje si dhe mospërdorimin e materialeve në ndërtim që rrisin eficencën e energjisë.

Ende sot, në zyrat urbanistike dhe në këshillin teknik të urbanistikës, ku miratohen projektet, mungojnë  specialistët e eficencës së energjisë që të marrin këtë çështje në konsideratë gjatë kontrollit të projekteve para se t’i miratojnë, vlerësojnë ekspertët e energjisë.

Nga ana tjetër, përdorimi i materialeve që rrisin eficencën e energjisë nuk shikohen me leverdi nga ndërtuesit për shkak të kostove më të larta, që do t’u ulin vlerën e fitimit. Për t’a zgjidhur këtë problem, ministria e Ekonomisë ka përgatitur një projektligj të ri për eficencën e energjisë, i cili amendon ligjet ekzistuese.

Një kuadër i ri ligjor për efiçencën e energjisë përbën një ndër detyrimet që ka Shqipëria ndaj BE-së, i cili parashikon masa detyruese  ligjore për zbatimin e detyrueshëm të eficencës së energjisë.

Ekspertët parashtrojnë si nevojë subvencionet nga qeveria, përmes një fondi të veçantë, që duhet të jetë ekstrabuxhetor dhe paralajmërojnë se nëse nuk do të ngrihen strukturat përkatëse për zbatimin e ligjit, nuk mund të priten rezultate pozitive.