Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 13:43

Shkup – Në afat sa më të shpejtë pritet që Komisioni rregullator për energjetikë të marrë vendim për lirimin e derivateve të naftës pas vendimit të djeshëm të Qeverisë për uljen e akcizave për benzinën në 4, ndërsa naftën dizel për 2 denarë, si dhe kompensimin për rezerva të obligueshme të naftës për 0,5 denarë te benzina dhe 0,2 denarë te dizeli.

Zëvendës-kryeministri dhe ministër i Financave Zoran Stavreski sot deklaroi se pret që sa më shpejtë Komisioni rregullator për energjetikë të konvokojë seancë dhe vendimi të zbatohet në praktikë.

“Kjo është masë e drejtpërdrejtë e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për mbrojtjen e konsumatorëve dhe qytetarëve dhe ekonomisë së Maqedonisë nga rritja e çmimit të naftës në bursat botërore. Besojmë se me përmbushjen e kërkesave të qytetarëve dhe odave ekonomike do të ndihmojmë të zbutet kjo goditje, madje për disa muaj”, tha zëvendës-kryeministri Stavreski.

Sipas tij, masa qeveritare për uljen e akcizave dhe kompensimin për 4,5 denarë do të jetë në dobi të qytetarëve dhe firmave, sepse nëse vjen deri te rritja e çmimit të naftës në bursat botërore, për 4,5 denarë rritja do të jetë më e vogël.

Masa është miratuar për periudhën prej katër muajve, gjegjësisht do të vlejë deri nga mesi i gushtit këtë vit, ndërsa ulja e të ardhurave nga akcizat në buxhet do të jetë 10 milionë euro.

“Heqim dorë nga këto të ardhura. Kjo nënkupton kursim nga ana tjetër. Do të bëjmë masa për shkurtimin e shpenzimeve të caktuara në këtë periudhë që buxheti të mbetet në kornizat e projektuara. Vlerësojmë se efektet nga kjo masë janë të rëndësishme duke marrë parasysh se tani 30-40 ditë ka rritje të çmimit të naftës në bursat botërore dhe se përafërsisht për 25 për qind është rritur çmimi i naftës në tre muajt e fundit. Vlerësuam se masat kanë më tepër efekte pozitive, se sa ajo që është humbje në derdhjen në buxhet”, tha Stravreski.