Lajme Shqip Wednesday, 03 August 2011 08:17

Shkup – Mbi një miliardë euro që dërgojnë mërgimtarët nga jashtë mbajnë gjallë ekonominë e Maqedonisë dhe banorët e saj. Të hollat e mërgimtarëve, sipas ekspertëve ekonomikë, kryesisht shpenzohen për të ndihmuar mbijetesën e familjarëve të tyre, por jo edhe për investime. Ndikimi më se pozitiv i mërgatës në mbijetesën e qytetarëve në vend sërish është konfirmuar në fillim të muajit korrik edhe nga analiza e Rrjetit global për zhvillim për ndikimin e mërgimtarëve në ekonominë e gjashtë vendeve, ku u përfshi edhe Maqedonia.

Vitin e kaluar, në vend, në emër të transfereve private kanë hyrë mbi një miliardë euro, ndërsa sivjet – deri në fillim të qershorit, 639 milionë euro apo 235 milionë më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në Maqedoni, përveç Bankës Popullore që regjistron transferet nga dhe jashtë vendit, institucionet e tjera si Enti i Statistikës nuk regjistrojnë dërgimin e të hollave nga jashtë. Me një rast, ekspertët  ekonomik thonë se është koha që më në fund kreatorët e politikës t’i kushtojnë vëmendje këtij potenciali që dukshëm mund t’i kontribuojë ekonomisë së vendit.

“Nuk kemi statistikë për të gjithë të hollat që hyjnë nga diaspora dhe kjo paraqet një lëshim serioz. Në Shqipëri, pesë deri gjashtë herë në vit kryhen hulumtime të tilla me përkrahje të shtetit”, kanë thënë ekspertët.
Sipas tyre, pjesa më e madhe e të hollave që sjellin mërgimtarët në vend harxhohen në amvisëritë e vendit, për ekzistencën e familjarëve të tyre, për arsim, shëndetësi dhe më së paku për fillimin e biznesit për shkak të procedurave të ndërlikuara.

“Mërgimtarët ankohen se barrierat e ndryshme administrative paraqesin pengesë për investim në vend dhe kërkojnë kushte minimale për tejkalimin e tyre. Të hollat e mërgimtarëve që mbulojnë gjysmën e eksportit të vendit me importin paraqesin dhuratë për qeverinë e vendit dhe ruajtjen e stabiliteti të ekonomisë saj”, kanë thënë ata. Përpilimi i listës së mërgimtarëve që kanë investuar në Maqedoni është një ndër aktivitetet në të cilat punon Agjencioni i Emigracionit të Maqedonisë. Në përgatitje e sipër është edhe adresari i listës së mërgimtarëve afarist nga Maqedonia si investitorëve potencial në Maqedoni. Ndryshe, shpenzimet në sektorin e ndërtimit, shërbimeve, turizëm, manifestime dhe ahengje familjare janë kryesisht mjetet që harxhohen nga ana e kurbetçarëve. Edhe pse gjatë qëndrimit të tyre pranë familjeve sjellin mbi një miliardë euro në Maqedoni, mërgimtarët shqiptarë gjatë pushimeve të tyre ballafaqohen me probleme të ndryshme. (LajmeShqip.com)