Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 14:13

Shkup – Derisa të dhënat zyrtare të Entit shtetëror për statistikë flasin për shkallë të punësimit të grave në rreth 29 për qind, kjo e ka bërë të mendojë ministrin e Punës dhe Politikë Sociale (MPPS), Xhelal Bajrami, të përgatisë një strategji për përmirësimin e gjendjes së punësimit të grave. Ky projekt të cilin e financon Unioni Evropian (UE), ka për qëllim vetëdijësimin e grave posaçërisht atyre shqiptare.

“Jemi në fazë të përgatitjes së një strategjie të re, ku do t’i kushtojmë rëndësi të veçantë punësimit të grave në Maqedoni. Do të fokusohemi edhe më tepër te gratë e zonave rurale dhe bashkësive etnike jo shumicë. Pikërisht për këtë në bashkëpunim me Fondet e Unionit Evropian, tani do të kemi një projekt përmes të cilit do të trajnohen do të ketë programe të ndryshme për përmirësimin e punësimit të grave në Maqedoni, gra të cilat janë nga bashkësitë jo shumicë, mendojmë për gratë shqiptarë”, ka thënë Bajrami. Bajrami gjithashtu ka informuar se projekti do të nënshkruhet gjatë muajve të ardhshëm, pas çka do të pasojnë trajnimet e grave të cilat do të përzgjidhen në bazë të konkursit.

“Projekti planifikojmë të nënshkruhet gjatë muajve të ardhshëm janë siguruar mjete buxhetore nga IPA Fondet në vlerë prej prej 1 milion e 500 mijë euro, të cilat më pas do t’u ndahen si grante organizatave joqeveritare të cilat do të përgatisin plane më të qëndrueshme për përmirësimin e punësimit të grave në vend. Që të inkuadrohen në tregun e punës. Konkursi ka përfunduar. Presim që evoluimi të konfirmohet nga përfaqësuesit e KE-së, në Shkup, dhe shumë shpejtë do të nënshkruajmë kontrata me gjithë ata OJQ, ku kryesisht pjesa dërmuese vijnë nga shtetet e BE-së, të cilat do të pregadisin plane, programe për punëismin e grave dhe inkuadrimin e tyre në tregun e punës”, ka thënë Bajrami. Ndërkohë, rreth dy të tretat e grave në Maqedoni ose 62 për qind konsiderojnë se angazhimet e përditshme ia cenojnë lirinë. Gjysma prej tyre ose për 51,3 për qind nuk pajtohen që meshkujt më pak të marrin pjesë në detyrimet shtëpiake, por për dy të tretat e grave të Maqedonisë kjo është normale. Të dhënat e fundit që para pak kohësh i ka dhënë Enti shtetëror i statistikës tregon se shkalla e punësimit te gratë në vitin 2009 ka qenë 29,4 për qind e krahasuar me 47,5 për qind te burrat. Shkalla e aktivitetit te femrat është 43,7 për qind ndërsa te meshkujt 69,9 për qind. Femrat në Maqedoni marrin pjesë me 65 për qind në popullatën joaktive. Në grupin e amvisave femrat marrin pjesë me 100 për qind.