Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 13:06

Shkup – Sipas zv/drejtorit të Doganave Lulzim Xhemaili, deri tani kanë qenë 113 të punësuar shqiptarë, që do të thotë se numri i shqiptarëve aty është mbi 160. Ndërkohë që nga 41 nëpunësit e sistematizuar shqiptarë, asnjëri nuk i përket gjinisë femërore.

Vazhdon avazi i punësimeve parazgjedhore. 41 nëpunës shqiptarë janë sistematizuar në Doganat e Maqedonisë. Me këtë numri i përgjithshëm i shqiptarëve në këtë institucion sipas zv/drejtorit Lulzim Xhemaili arrin mbi 160, duke mos precizuar atë në përqindje. Ndërkohë që nga gjithë këto 41 nëpunës, asnjëri nuk i përket gjinisë femërore.

“Arritëm të bëjmë transferimin e 41 administratorëve në Drejtorinë e Doganave. Me këtë hap kemi arritur sukses jo vetëm në punësimin, por në menaxhimin e gjitha punëve në këtë institucion. Deri tani kanë qenë 113 të punësuar shqiptarë, që do të thotë se numri i shqiptarëve këtu është mbi 160. Për kriteriumet, kuptohet se puna doganore është edhe një punë pak më e vështirë, ne kemi kërkuar kandidat jo për të diskriminuar gjininë femërore, por gjithë ata që kanë pasur interes dhe vullnet që të vijnë në këtë institucion”, ka thënë Xhemaili.

Ndërkohë, nëpunësit e sistemuar nuk kanë nguruar të shprehin kënaqësinë dhe gatishmërinë për t’u ballafaquar me sfidat e punës.

“Vendimin si nëpunës shtetëror e kam marrë në shtator të vitit 2009. Pas kësaj periudhe iu nënshtruam testimit kualifikues, intervistës dhe tani erdh koha t’ia fillojmë punës. Në gjashtë muajt e ardhshëm do të kemi trajnime, pastaj do të kalojmë në nëpunës dogane”, ka thënë Qani Toçi.

“Me sistematizimin e këtillë u vendos që të jem pjesë e nëpunësve në Doganat e shtetit. Besoj që do të japim kontributin tonë që të kemi sukses”, ka thënë Muhamed Murtezani, nëpunës.

Nëpunësit e sistematizuar në Drejtorinë e Doganave janë vizituar edhe nga përfaqësues të Sekretariatit shtetëror për Implementin e Marrëveshjes së Ohrit të cilët kanë paralajmëruar sistemime të reja të administratorëve nëpër institucione tjera.