Lajme Shqip Sunday, 17 April 2011 07:50

Shkup – Shfrytëzuesit e kredive të konsumatorëve në Maqedoni në të ardhmen do t’i gëzojnë të drejtat dhe mbrojtjen e njëjtë si edhe qytetarët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Këtë e mundëson Ligji i ri për mbrojtjen e konsumatorëve në kuadër të marrëveshjeve për kredi të konsumatorëve, i cili hyri në fuqi dhe është harmonizuar tërësisht me standardet dhe parimet e Bashkimit Evropian.

Kjo u theksua në konferencën e sotme për shtyp të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Financave Zoran Stavreski, ministrit të Ekonomisë, Fatmir Besimi dhe kryetares së Organizatës për mbrojtjen e konsumatorëve, Mirjana Lonçar Vellkova.

Me ndryshimet është zmadhuar kufiri prej 20.000 në 75.000 euro i asaj që definohet si kredi konsumatore miratuar personave fizik.

“Ndryshimet janë në drejtim të mbrojtjes së konsumatorëve. Kjo do të thotë një numër më i madh i kërkuesve të kredive, gjegjësisht shfrytëzuesit e kredive do t’i gëzojnë të drejtat e ndryshimeve të ligjit”, tha zëvendëkryeministri Stavreski.

Me ndryshimet rregullohet saktë se cilat informacione duhet t’i përmbajë aplikacioni me ç’rast definimi për shpenzime të përgjithshme të kredisë në mënyrë precize definohet dhe i përfshin të gjitha shpenzimet lidhur me kredinë që duhet ta paguajë konsumatori, gjegjësisht interesin, provizionet, tatimet, kompensimet dhe eventualisht sigurimin me çka shmanget pagesa e të ashtuquajturave shpenzime të fshehura.

Vazhdohet edhe afati nga pesë në 14 ditë në të cilin kërkuesi i kredisë mund të heq dorë dhe ta anulojë kredinë.

Ministri i Ekonomisë theksoi se vendosja e ndryshimeve do të sjell deri te vendosja e pozitave korrekte midis të gjithë pjesëmarrësve në treg.

“Me ndryshimet krijohen kushte për rritjen e besimit dhe mbrojtjes së kompanive dhe ekonomistëve të cilët punojnë në mënyrë korrekte. Mundësia që konsumatorët të njoftohen tërësisht për atë se çka ju ofrohet dhe çka kërkohet prej tyre në afat të gjatë krijon bazë për ekonomi të shëndoshë dhe për rritjen e konsumit, ndërsa kjo është nxitje për më shumë investime dhe vende të reja të punës”, tha Besimi.

Ministria e Ekonomisë, theksoi do të jetë kompetente në pjesën e dhënies së kredive me pagesë të shtyrë, ndërsa kontroll do të bëjë Inspektorati shtetëror i tregut në pjesën e marrëveshjeve, ashtu edhe në pjesën e reklamimit dhe besueshmërisë së informacioneve të dorëzuara deri te konsumatorët.

Kryetarja e Organizatës për mbrojtjen e konsumatorëve Lonçar-Vellkova tha se me rrumbullakësimin e këtillë të rregullativës ligjore kontribuohet drejt mbrojtjes më të mirë të konsumatorëve, por duhet pasur kujdes edhe gjatë implementimit të Ligjit që të mos mbetet fjalë e zbrazët në letër.