Lajme Shqip Saturday, 09 April 2011 15:35

Shkup: Hapet dyqani i parë për produke organike

Shkup – Mbi 2. 500 artikuj me çertifikatë për 100 për qind origjinë organike mund të blihen në dyqanin “BIOkult” që u hap sot. Përveç ushqimit, kjo qendër e parë e specializuar për produkte organike në Maqedoni, konsumatorëve u ofron edhe mjete ekologjike për higjienë personale dhe për pastrim në amvisëri, kozmetikë organike për fytyrë, trup dhe flokë, suplemente, si dhe ushqim për foshnje me origjinë organike, pampersa, biberonë dhe shishe.

“BIOkult” është pronë e firmës “Sneisis” dooel nga Shkupi, ndërsa gjendet në katin e dytë të QTQ mbi kinemanë “Milenium”. Produktet janë dyfish më të shtrenjta nga ato konvencionale, por pronarët nuk presin kjo të ndikojë në shitjen.

“Në vend tashmë ekziston një kategori konsumatorësh, të cilët janë të interesuar për këtë lloj ushqimi, biologjikisht më të pastër

dhe të shëndetshëm. Shpresoj se ky nuk do të jetë objekti i parë i këtij lloji, por vetëm nxitje për hapjen e më shumë dyqaneve”, deklaroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë të ujërave Lupço Dimovski pas hapjes të dyqanit.

Ideja për realizimin e projektit rreth “BIOkult” thonë menaxherët, bazohet në faktin se ushqimi organik dhe ushqimi i freskët i përgaditur janë çelësi për shëndetin e njeriut.

Qeveria plotësisht i mbështetë fermerët organikë.

Sipas të dhënave të fundit, 3.000 hektarë janë nën drithërat organike, 1.000 hektarë janë ushqim organik për kafshë, 350 hektarë janë pemëtari organike, 245 hektarë janë fidane organike të vreshtave, ndërsa 200 hektarë janë kultura organike dhe kopshtare.