Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 08:12

Shkodër – Pas periudhës së tejzgjatur të thatësirës, e cila krijoi një situatë mjaft problematike në rezervat ujore të hidrocentraleve të lumit Drin, reshjet e ditëve të fundit kanë dhënë shenjat e para për një përmirësimi të mundshëm të situatën energjitike në kaskadën e Drinit.

Ndonëse burime  pranë hidrocentraleve të kaskadës së Drinit,  Fierzës, Komanit e të Vaut të Dejës, bëjnë të ditur se “për shkak të uljes së ndjeshme të nivelit të ujit në kaskadë në periudhën e mëparshme, edhe pse prurjet e ditëve të fundit kanë qënë më të mëdha, rritja e nivelit të ujit në liqene ka qenë në kufijtë e papërfillshëm.

Në liqenin e Fierzës, nga 259 metra që ishte për një periudhë të gjatë kohe dhe e konsideruar si më minimalja historike në kaskadën e Drinit, prurjet e fundit e kanë rritur nivelin e ujit në 261.20 metra, ndonëse në kuota ende mjaft të ulta, aq sa nuk e lejojnë prodhimin e energjisë në këtë hidroçentral.

Të ulta janë kuotat e depozitës ujore edhe në hidrocentralet e Komanit dhe  Vaut të Dejës, në të parin ato arrijnë në 173.58 metra dhe 74.81 metra në të dytin, kuota  që janë të lëvizshme në vartësi të prurjeve të ditëve të fundit.

Nga mesnata e djeshme, në Hidrocentralin e Komanit prurjet janë në shifrat e rreth 400 metra kub në sekond. Sipas specialistëve të këtij hidrocentrali, këto janë gjysma e kapacitetit maksimal prodhues të Hidrocentralit.

Në kushte aspak pozitive paraqitet situata edhe në hidrocentralin e Vaut të Dejës, ku bëhet me dije se gjatë muajit nëntor dhe fillimit të dhjetorit është prodhuar pesë herë më pak në krahasim me vitin e kaluar.

E rëndësishme, për drejtuesit e këtyre veprave energjetike është fakti se përballë këtij fakti, krahas prodhimit vendas që pritet të merret nga dy hidrocentralet, ai i Komanit dhe i Vaut të Dejës,vazhdon importi i energjisë elektrike dhe furnizimi i komunitetit me energji elektrike vazhdon të jetë pa ndërprerje.

Furnizim normal me energji elektrike specialistët drejtuesit e këtyre veprave garantojnë edhe për festat e fundit, megjithë rritjen e  konsumit të saj nga qytetarët dhe  subjektet e biznesit.