Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 15:16

Tiranë – Rritja e tatimit për kompanitë më fitimprurëse është një masë selektive dhe një arnim i sistemit aktual fiskal. Anastas Angjeli, ish-ministër i Financave dhe anëtar i Akademisë së Shkencave, thotë se një masë e tillë diskriminon sektorë të veçantë të ekonomisë dhe mund të nxisë evazionin fiskal.

“Mund të them me siguri se kjo masë ka për të sjellë përpjekje të bizneseve që do të jenë subjekt i saj për t’ju shmangur një regjimi që i diferencon nga bizneset e tjera. Kjo prirje për evazion do të bëjë që jo vetëm të ardhurat në buxhet të mos rriten, por mund të kemi efektin e kundërt, pra, të ardhurat mund të pakësohen,” thotë Angjeli.

Sipas tij, rritja e tatim-fitimit për bizneset më rentabël shënon tërheqjen e qeverisë nga taksa e sheshtë. Angjeli shprehet se një kthim tek taksimi progresiv do të kërkonte një ristrukturim të plotë të sistemit fiskal aktual.

Qeveria miratoi javën e kaluar ndryshimet ligjore, që i propozojnë kuvendit rritjen e tatimit në përpjestim me rritjen e normës së fitimit të bizneseve. Bizneset me normë fitimi më të lartë se 20%, do të paguajnë tatim mbi fitimin 20%, ndërsa ato me normë fitimi më të lartë se 30% do të tatohen në masën 30%.