Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 18:00

Në Raportin e Stabilitetit Financiar, të publikuar së fundmi, Banka e Shqipërisë bëri të ditur se rreth 81% e totalit të kredive me probleme është i mbuluar me kolateral. Duke u nisur nga ky informacion, paraqesim një përllogaritje të thjeshtë të impaktit që do të kishte në portofolin e kredive me probleme nga një ekzekutim dhe likuidim i shpejtë i kolateralit.

Sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave, vlera e kredive me probleme deri në fund të muajit shtator, ishte rreth 98 miliardë lekë, ose 18% e totalit të kredisë për ekonominë. 81% e kësaj vlere do të përkthehej në afro 80 miliardë lekë vlerë kredie të mbuluar plotësisht me kolateral.

Zakonisht, bankat i mbulojnë kreditë e dhëna me kolateral në masën 140%, për t’u mbrojtur nga rënia e mundshme e vlerës së garancisë. Por, nëse llogarisim se kolaterali do të shitej të paktën në masën 100% të vlerës fillestare, kjo do t’u siguronte bankave mbulim të plotë të humbjes nga kredia.

Duke i zbritur portofolit aktual të kredive me probleme shifrën prej 80 miliardë lekësh, atëherë kredia me probleme do të zbriste në 18 miliardë lekë ose më pak se 4% e totalit të mbetur të kredisë. Kjo llogaritje e përafërt dhe thjesht referuese krijon idenë e rëndësisë së mirëfunksionimit të procesit të ekzekutimit të kolateralit.

Bankat ankohen për procedura të tejzgjatura gjyqësore, që po shkaktojnë dëme të konsiderueshme financiare për sistemin bankar, por edhe për publikun, sepse, për sa kohë norma e kredive me probleme qëndron e lartë, dhënia e kredive të reja është më e vështirë.