Lajme Shqip Saturday, 22 September 2012 14:44

Prishtinë – Raporti i Entit të Statistikave për regjistrimin e popullsisë jep shifra alarmante për gjendjen e papunësisë në Kosovë. Sipas raportit, në Kosovë punojnë vetëm 24.5 për qind e krejt popullsisë ose në numra 278 mijë vetë nga rreth 2 milionë që është regjistruar popullsia. Institucionet kosovare i marrin me rezerva këto raporte, shkruan e perditshmja kosovare, Express.

Vetëm 278 mijë qytetarë të moshës 15 deri në 64 vjeçare janë të punësuar në Kosovë. Kështu tregojnë të dhënat e regjistrimit të popullsisë të publikuara dje.

Nëse merret në përqindje, i bie se 24.5 për qind e popullsisë së kësaj moshe kanë vende pune, ndërsa 75.5 për qind janë në kërkim të një vendi të tillë.

Drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, thotë se kjo është ajo që e kanë deklaruar qytetarët në pyetësor, por, sipas tij, nuk paraqet papunësinë reale në vend.

““Kjo është në bazë të asaj që janë përgjigjur qytetarët në Kosovë”, thekson Krasniqi.

Nëse këto të dhëna krahasohen me ato të Trustit të Kursimeve Pensionale, në të cilat qytetarët i derdhin kontributet e tyre, del se ka një shpërputhje të madhe me numrin e të punësuarve.

Në Trust i kanë deklaruar kontributet pensionale 399 mijë kontribuues, apo mbi 100 mijë më shumë se në regjistrim të popullsisë të mbështetur nga Eurostati.

Gjendja e punësimit, sipas raportit të regjistrimit, është veçanërisht dramatike për të rinjtë e moshës 15 deri 24 vjeç.

“Përderisa vetëm 10 për qind e popullsisë në ketë kategori të moshës është e punësuar, shkalla e papunësisë arrin deri në 65 për qind, që nënkupton se nga të rinjtë e moshës 15-24 vjeçare që kërkojnë punë në mënyrë aktive më shumë se dy të tretat nuk mund të gjejnë vend pune”, thuhet në raport.

Një përqindje më e madhe e meshkujve të moshës së punës thuhet se janë në dispozicion që të zhvillojnë aktivitete ekonomike, pavarësisht vendit ku jetojnë; por femrat kanë dukshëm më pak gjasa të hyjnë në kuadër të fuqisë punëtore, veçanërisht në zonat rurale.

Me këtë regjistrim u tërhiqet vërejtja institucioneve që të merren më seriozisht me përmirësimin e mirëqenies sociale në mënyrë që të mos largohen qytetarët nga vendi.

Me këto rezultate duket se janë habitur edhe vetë ata që e kanë bërë regjistrimin sesa larg është Kosova në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian.

“Kur shikohen të dhënat, është e habitshme sa e ulët është shkalla e punësimit: vetëm 24.5 për qind e popullsisë së moshës 15 deri 64 vjeçare ka vende pune dhe femrat janë veçanërisht në pozitë të pafavorshme. Në BE shkalla e punësimit në vitin 2011 ka qenë 68.6 për qind, ku Greqia ka pasur shkallën më të ulët 59.9 për qind dhe Suedia atë më të lartë 80 për qind”, thuhet në raport. (LajmeShqip.com)