Lajme Shqip Monday, 22 August 2011 13:41

Tiranë – Shërbimet bankare janë sot shumë më pranë banorëve. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2010, në Shqipëri regjistrohej mesatarisht një njësi bankare për 6,100 njerëz, ndërkohë që në vitin 2004 kishte vetëm një degë banke për afro 17 mijë banorë.

Kjo tregon zgjerimin me ritme të shpejta të rrjetit të degëve të bankave tregtare, por edhe orientimin më të madh të tyre drejt shërbimeve për individë. Numri i degëve dhe agjencive bankare brenda vendit në fund të vitit 2010 arriti në 529, nga 188 që numëroheshin në vitin 2004. Gjatë këtij viti, bankat priten t’i rikthehen me ritme më të shpejta zgjerimit të rrjetit, pasi në dy vitet e fundit ky proces u ngadalësua ndjeshëm për shkak të efekteve të krizës.

Kështu, vitin e kaluar vetëm “Tirana Bank” vazhdoi zgjerimin agresiv të rrjetit me pesë degë të reja, ndërsa “Intesa SanPaolo” dhe “ProCredit” mbyllën përkatësisht pesë dhe tre degë. Bankat me rrjetin më të madh të degëve dhe agjencive aktualisht janë “Raiffeisen”, “BKT” dhe “Tirana Bank”. Zgjerimi i rrjetit dhe rritja e bankave ka sjellë edhe shtimin e numrit të të punësuarve.

Sistemi bankar punësonte 6,384 vetë në fund të vitit 2010, nga rreth 2,800 vetë në vitin 2004. Sot një punonjës banke ju shërben mesatarisht 499 banorëve, ndërkohë që në vitin 2004 kishte një punonjës banke për 1,100 banorë. (LajmeShqip.com)