Lajme Shqip Thursday, 24 March 2011 09:39

Tiranë – “Partneriteti Transatlantik, Rizgjimi i Marrëdhënieve SHBA – Ballkani Perëndimor”, ka mbledhur në SHBA krerë të lartë të shteteve, ministra dhe personalitete nga rajoni për të diskutuar rreth sektorëve potencialë ekonomikë si energjia, transporti, infrastruktura, etj.

Zyra e shtypit e METE-së bëri të ditur se në Samitin e biznesit SHBA – Ballkani Perëndimor, i cili organizohet në Baltimore, në shtetin e Maryland, mori pjesë edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, e cili në fjalën e tij, e cilësoi këtë aktivitet si dëshmi të intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet qeverive dhe popujve të Ballkanit.

Naço u shpreh se “rajoni ynë është një mozaik kulturash, traditash dhe gjuhësh, por historia na ka mësuar të kemi kurajon të flasim në një zë kur bëhet fjalë për sigurimin e stabilitetit politik, zhvillimin ekonomik dhe kohezionin social”.

Duke u shprehur mirënjohje SHBA-ve, të cilat kanë kontribuar rrënjësisht në demokratizimin e vazhdueshëm të vendeve tona, kreu i METE-s vuri në dukje se “Shqipëria, edhe pse një vend i vogël në botë, ka luajtur një rol të madh dhe aktiv në rajon për të krijuar një vizion për një Ballkan më të begatë, ku paqja dhe stabiliteti kanë zëvendësuar konfliktet etnike, ku rritja dhe zhvillimi ekonomik po mbizotëron ndaj stanjacionit, ku europianizimi po triumfon ndaj nacionalizmit”.

Sipas tij, fituesit e vërtetë të kësaj bote të globalizuar janë ata të cilët mendojnë përtej kufijve kombëtarë, dhe të cilët punojnë së bashku për të nxitur zhvillimin dhe prosperitetin e popullit të tyre.

Ministri NAço bëri edhe një përshkrim të reformave të ndëmarra nga qeveria shqiptare për përmirësimin rrënjësor të klimës së biznesit, ndërsa nënvizoi se “prezenca e biznesit amerikan në Ballkan dhe në Shqipëri akoma nuk ka arritur potencialin e saj”.

“Ajo, çfarë në vendet e Ballkanit Perëndimor e kemi arritur me shumë sakrifica, edhe me ndihmën e SHBA dhe që ka të bëjë me stabilitetin politik, është e pamjaftueshme për pritshmëritë e qytetarëve tanë”, theksoi Naço, duke u shprehur i sigurt se “potencialet dhe oportunitetet e investimeve amerikane në vendet tona janë shumë të mëdha”.

Në fjalën e tij, kreu i METE-s deklaroi se “Shqipëria ka potenciale energjetike të pashfrytëzuara plotësisht, sidomos në hidrocentrale, ku prezenca e investitorëve amerikanë do të ishte një vlerë e shtuar për ta shndërruar Shqipërinë në një fuqi energjetike në rajon”.

“Biznesi amerikan mund të ofrojë një kontribut të çmuar në krijimin e një “tregu të përbashkët energjetik në rajon”, ku përveç energjisë elektrike, një rëndësi të veçantë merr sektori mineral, i naftës dhe gazit natyror (psh projekti TAP) duke e kthyer rajonin jo vetëm një “tranzit natyral” të këtyre burimeve nga Lindja në Perëndim, por dhe shfrytëzimin e këtyre burimeve brenda rajonit tonë”, tha ministri.

Naço u shpreh i sigurtë se “partneriteti Trans-Atlantik do të konsolidohet akoma më tej me anëtarësimin e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në NATO (Maqedonia dhe Bosnja Hercegovina), me perspektivën e qartë të integrimit Europian të këtyre vendeve në BE dhe me rëndësinë gjeo-politike gjithmonë në rritje të këtij rajoni për sigurinë, paqen, dhe prosperitetin në botë. Bashkëpunimi më i thellë në fushën e energjisë, besoj do të krijojë një dimension të ri në këtë “Partneritet Trans-Atlantik” mes vendeve tona”.

Por sipas tij, benefitet reciproke që kanë ardhur si pasojë e investimit në frymën e “Partneritetit Trans-atlantik” janë të prekëshme.

“Ka ardhur koha, që këto benefite të promovohen më tepër dhe besoj se ky samit do t’i shërbejë më së miri këtij qëllimi”, përfundoi ministri i Energjetikës, Nasip Naço.